Jetoj dhe punoj në një vend ku temperaturat 40°C janë normale. Ja si ia dal me të nxehtin!
Dritare.net

Marrë nga The Independent Travel
Duke jetuar në Egjipt, Tamara Davison e di shumë mirë se çfarë do të thotë të përvëlohesh kur temperaturat ngjiten në ekstrem. Ajo ndan këshillat e saj eksperte për të qëndruar të freskët gjatë valëve të të nxehtit, qoftë në Afrikën e Veriut apo në Evropë.

Është vapë, ndoshta shumë vapë. Nga dhoma ime e nxehtë e ndenjes, ajri jashtë duket si një mirazh, duke deformuar pamjen e rrugës së pluhurosur. Për njerëzit si unë që jetojnë në Afrikën e Veriut, ose për ata që po përballen aktualisht me valë të të nxehtit, vera mund të ndihet si një betejë mes mendjes dhe trupit.
Egjipti, vendi i piramidave të përvëluara nga dielli dhe shkretëtirave të pafundme të arta, ofron një stil jete unik dhe shumë interesant. Megjithatë, në këtë nxehtësi të pamëshirshme, temperaturat mund të përcaktojnë gjithë jetën e përditshme dhe t’i bëjnë edhe detyrat më të thjeshta të vështira.
Unë jetoj në Dahab, në bregdetin e Gadishullit të Sinait, rreth një orë larg nga Sharm El-Sheikh, dhe kjo është vera ime e dytë që po kaloj një sezon të nxehtë shkretëtire. Përvoja ime e mëparshme me valë të nxehti në Jordani, Meksikë dhe Australi, si dhe udhëtimet në Indi, më kanë mësuar rregullat e jetës në nxehtësi ekstreme.
Natyrisht, rreziqet e temperaturave ekstreme, si goditja nga nxehtësia dhe dehidratimi, kërkojnë masa të kujdesshme. Përtej qëndrimit në hije, këtu janë disa nga përvojat e mia personale se si të mbijetosh dhe madje të shijosh jetën në vapë ekstreme.

Një ritëm më i ngadaltë jete
Të jetosh në një vend ku 40°C është normë do të thotë që dita duhet të fillojë herët. Ushtrimet fizike bëhen më mirë kur lind dielli, ndërsa takimet në mbrëmje zakonisht fillojnë dhe mbarojnë shumë pas perëndimit. Duke ardhur nga Londra ku çdo gjë ecte me ritëm të shpejtë, në fillim ishte e vështirë të pranoja që çdo gjë ngadalësohet në mesditë në vendet e nxehta. Por më duhej të respektoja vapën përvëluese dhe të përshtasja ritmin tim për të shmangur lodhjen. Pushimet e shkurtra janë shumë të zakonshme në këto shoqëri.
Edhe vetë lëvizjet duhet të jenë më të qeta në mot të nxehtë, gjë që kërkon vetëdije të madhe.
Duke e pranuar një version më të ngadaltë dhe më të hidratuar të vetes, kisha më shumë kontroll mbi energjinë time, ndihesha më pak e lodhur dhe mund ta shijoja më shumë motin. Me zhytje të herëpashershme në det, jeta në vapë ka të bëjë me ekuilibrin dhe dëgjimin e trupit.
Hidratimi është çelësi
Një mësim tjetër i rëndësishëm është se nxehtësia ekstreme nuk duhet “luftuar” me të ftohtë ekstrem. Pirja e ujit është e domosdoshme, por disa mendojnë se uji shumë i ftohtë e detyron trupin të punojë më shumë për të rregulluar temperaturën. Po ashtu, dushet e akullta apo vendosja e kondicionerit në maksimum nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë. Në kushte të tilla, paketat e rehidrimit janë shpëtim. Ato mund të gjenden në farmaci dhe përzihen me ujë për të rikthyer mineralet dhe energjinë kur ndihesh i dehidratuar. Kjo më bën të ndihem më e përgatitur dhe më e sigurt gjatë ditëve të nxehta.
Kam shkuar edhe më tej duke ngrirë pijet me elektrolite në forma kubash akulli, një “trik” perfekt për ditët përvëluese. Si ushqime verore, rrushi dhe manaferrat e ngrira janë freskuese dhe hidratuese.
Mbrojtja në çdo formë
Rrobat e duhura në vapë mund të bëjnë diferencën. Liri me ngjyra të hapura është ideal për të rregulluar temperaturën e trupit. Gjithashtu mbaj gjithmonë një shall ose sarong për mbrojtje nga dielli dhe rëra.
Valët e të nxehtit kërkojnë edhe pajisje të tjera: kapelë dielli, krem mbrojtës, syze dielli dhe ventilatorë dore. Këta të fundit janë të vegjël por shumë të dobishëm.
Përdor gjithashtu vajra natyrale aromatike (ayurvedikë) në tempuj para gjumit, për të lehtësuar netët e nxehta dhe të parehatshme./dritare.net