GJKKO cakton seancën e radhës për Metën dhe Kryemadhin/ Ish-presidenti: Të trajtohem si në vetting
Dritare.net

Është zhvilluar këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë seancës u vendos që shqyrtimi i çështjes të vijojë më 9 korrik, në orën 10:00, ndërsa ish-presidenti Ilir Meta kërkoi kryerjen e një ekspertize të pavarur financiare sipas metodologjisë së përdorur në procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Sa për dëshmitarët, deri javën tjetër do të rakordohem me avokatin për t’i ndarë sipas episodeve. Gabimet e bëra në llogaritjen e pasurive nuk është rastësi. Ekspertiza financiare ime nuk është rastësi. Fakti që unë kam bërë kallëzim për rrëmbimin tim dhe ende sot nuk jam pyetur, kjo nuk është rastësi. Kërkoj që metodologjia që është përdorur për prokurorët, të bëhet edhe për mua. Unë kam qenë deputet, në rrogat më të larta të shtetit që 22 vjeç. Unë kam qenë ministër i jashtëm. Kam qenë të paktën 300 ditë jashtë shtetit, kam marrë shumë dieta. Mora një përgjigje: Nuk janë llogaritur dietat, se dietat i merr për t’i shpenzuar. Është absurde t’i thuash një ministri të jashtëm, që e presin me shoqërues, me dreka darka zyrtare, që i ke shpenzuar. Është absurde kur ti del jashtë vendit si president, ku sapo zbret, të pret Secret Service dhe gjithçka tjetër është e paguar, të pretendosh se duhet të shkosh në dyqan t’i shpenzosh. Kërkoj një ekspertizë të pavarur, duke përdorur metodologjinë e përdorur për prokurorët e gjyqtarët nga vettingu. Jam Ilir Meta. Emri im është fuqia ime. Nuk kam cenuar kurrë interes kombëtar, publik apo personal të dikujt. Unë kam njohur vetëm rrogën e shtetit. Edhe rrogën e kam depozituar në shtëpi. Kërkoj ekspertizë individuale dhe si familjar për periudhën që kam qenë bashkëshort. Të shihet çdo e ardhur e ligjshme që kam pasur, e që rezulton në dokumentet e shtetit”, u shpreh Meta./K.C/dritare.net