Na ndiqni edhe në

Bota

Nafta rikthehet mbi 100 dollarë për fuçi! Çfarë po ndodh mes SHBA dhe Iranit!

Nafta rikthehet mbi 100 dollarë për fuçi! Çfarë po

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent është rritur sërish mbi 100 dollarë për fuçi, pas luhatjeve të forta të ditëve të fundit të shkaktuara nga tensionet mes SHBA-së dhe Iranit.

Gjatë tregtimit të së martës në Azi, Brent u rrit me rreth 4%, duke arritur në 103.94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane Nymex Light Sweet u rrit me 4.1%, në 91.75 dollarë.

Rritja vjen pas rënies së fortë të së hënës, kur çmimi i Brent kishte humbur mbi 10%, pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump se SHBA kishte zhvilluar bisedime “produktive” me Iranin dhe do të pezullonte sulmet e paralajmëruara.

Megjithatë, Teherani i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si përpjekje për të manipuluar tregjet, çka riktheu pasigurinë dhe ndikoi në rritjen e çmimeve.

Tensionet u përshkallëzuan pas kërcënimeve të Trump për të goditur objektiva energjetike iraniane, nëse Ngushtica e Hormuzit një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë nuk rihapej. Irani paralajmëroi kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi.

Ky zhvillim çoi përkohësisht çmimin e Brent në 113 dollarë për fuçi, ndërsa bllokimi i ngushticës ka prekur rreth 20% të furnizimit global me naftë dhe gaz.

Tregjet globale të energjisë dhe bursat kanë qenë të paqëndrueshme që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli goditën Iranin. Megjithatë, të martën tregjet aziatike shfaqën shenja stabilizimi: Nikkei 225 u rrit me 0.8%, Hang Seng me 1.6% dhe Kospi me 2.2%.

Për të përballuar krizën, SHBA ka lehtësuar përkohësisht sanksionet për naftën ruse dhe iraniane në det të hapur, ndërsa Kina ka tërhequr rritjen e planifikuar të çmimeve të karburantit për të ulur barrën mbi qytetarët./BBC