Dëshmia e Veliajt: Tirana prej 500 ditësh drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush
Dritare.net

Seanca e radhës në Gjykatën Administrative për padinë e Erion Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado është shoqëruar me debate dhe akuza të forta. Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku i Tiranës kritikoi ashpër përfaqësuesen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe ngriti pretendime për mënyrën e emërimit të Ols Dados, ndërsa akuzoi se Tirana prej më shumë se 500 ditësh po administrohet nga persona që, sipas tij, nuk kanë marrë votën e qytetarëve.
“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht, ju duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush. Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë. Edhe Bamir Topi doli dhe tha hapur se bëhej fjalë për një qokë. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit. Ju jeni zoti i seancës. Si qenka KLGJ-ja? Atëherë, kot që jemi këtu. Nëse KLP thotë se kemi bërë prokuror noterin me pesa që shkatërroi jetën e një njeriu, kush e përfaqëson tani KLP-në? Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të jep ligji.”, u shpreh Veliaj./K.C/dritare.net
