Na ndiqni edhe në

Bota

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme. Izraeli nis operacionet në Liban

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme. Izraeli nis operacionet në Liban

Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten ndjeshëm, ndërsa zhvillime të reja politike dhe ushtarake janë raportuar në disa vende të rajonit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të ishte “shumë keq për të ardhmen e NATO” nëse aleatët nuk ndihmojnë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.

Në një intervistë për Financial Times, Trump tha se pret që edhe Kina të kontribuojë për hapjen dhe sigurinë e ngushticës. Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të shtyjë një samit të mundshëm me presidentin kinez Xi Jinping nëse Pekini nuk merr pjesë në përpjekjet për stabilizimin e situatës.

Duke folur nga avioni presidencial Air Force One, Trump deklaroi se është në bisedime me rreth shtatë vende për të “patrulluar” zonën e ngushticës dhe theksoi se do ta mbajë mend nëse disa prej tyre refuzojnë të ndihmojnë.

Ndërkohë, situata ushtarake në rajon është përshkallëzuar. Izraeli ka njoftuar se ka nisur “operacione tokësore të kufizuara dhe të synuara” kundër grupit Hezbollah në jug të Liban. Raportohet gjithashtu për bombardime të rënda në Tehran, ndërsa Iran dhe Hezbollah kanë lëshuar raketa drejt Izraelit.

Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite njoftoi se ka rrëzuar dhjetëra dronë gjatë natës. Ndërsa në Dubai, Aeroporti Ndërkombëtar bëri të ditur se fluturimet do të rifillojnë gradualisht pas një incidenti të lidhur me dronë, që shkaktoi ndërprerje të përkohshme në një nga aeroportet më të ngarkuara në botë.

Zhvillimet e fundit tregojnë për një rritje të tensioneve në rajon, me pasoja të mundshme për sigurinë dhe tregjet globale të energjisë./L.F-dritare.net