
Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, është diagnostikuar me kancer gjiri, por ka bërë të ditur se do të vazhdojë të kryejë detyrën ndërsa i nënshtrohet trajtimit.
Në një deklaratë publike, 68-vjeçarja tha se sëmundja është zbuluar herët dhe se mjekët i kanë dhënë një prognozë të mirë për shërim. Ajo theksoi se shumë gra përballen me të njëjtën diagnozë, por vazhdojnë të kujdesen për familjet e tyre dhe të punojnë çdo ditë.
Presidenti amerikan Donald Trump e vlerësoi atë si “një luftëtare të jashtëzakonshme”, duke theksuar se Wiles është një nga këshilltaret e tij më të afërta dhe më të rëndësishme. Ai shtoi se ajo do të vazhdojë të punojë pothuajse me kohë të plotë në Shtëpinë e Bardhë gjatë trajtimit.
Susie Wiles është gruaja e parë që mban postin e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe konsiderohet një nga figurat më me ndikim në administratën e Trump, pasi ka luajtur rol kyç edhe në fushatën e tij presidenciale./K.C/dritare.net