Nga Dritan Hila
78 vite më parë më 8 maj me orën e Berlinit dhe 9 maj me atë të Moskës, kapitullimi i forcave të armatosura gjermane, shënonte fundin e luftës më të përgjakshme në historinë e njerëzimit. Miliona të vrarë në fushëbeteja, të shfarosur në dhoma gazi ose pushkatuar vetëm se i përkisnin një race tjetër, qytete të rrafshuara me tokën ishte panorama e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Për shumë historianë, nuk kemi të bëjmë me dy luftëra botërore, por me një të vetme e cila kishte një armëpushim në mes. Gjermania e formuar vetëm 40 vite më parë kërkonte hapësirën e saj në botë dhe për këtë nuk nguroi të shpërthente dy luftëra, ku e dyta do hynte me termin luftë totale, pasi u përfshinë edhe civilët.
Pas kësaj, fuqitë fituese ishin në dilemën nëse duhet ta shpërbënin Gjermaninë në disa shtete, ashtu siç kishte qenë përpara bashkimit të vitit 1866 apo të zgjidhnin një formulë që ta mbanin nën kontroll. Por si mund të mbahej nën kontroll një popull i cili kishte që nga koha e Arminios, ndjenjën e supremacisë.
Formula u gjet me ndarjen e territorit në zona kontrolli sovjetiko-amerikano-anglo-franceze ku tre të fundit u bashkuan në vitin 1949 për t’i dhënë formë Republikës Federale Gjermane, kurse zona nën pushtimin sovjetik i dha jetë Republikës Demokratike Gjermane.
Në vitin 1990 bashkohen nën akronimin RFGJ-së.
27 vite vullnet ekspansionist dhe dy luftëra i kishin kushtuar gjermanëve humbje kolosale në njerëz dhe territore.
Pas lufte udhëheqësit gjermanë u kujdesën të mbanin nën fre dëshirën ekspansioniste të elitave ekonomike dhe ushtarake gjermane si edhe të simpatizantëve të një Gjermanie të madhe.
Tërheqja e rrëmujshme e Armatës se Kuqe sovjetike dhe më vonë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitet ‘90-të, bëri që barra e kontrollit të këtij shteti të binte mbi Shtetet e Bashkuara.
32 vitet e bashkimit nuk kanë mjaftuar që SHBA-të të heqin kontrollin nga RFGJ-ja. 60 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në 70 baza të përhershme ushtarake në territorin gjerman dhe shërbimet amerikane të inteligjencës nuk kanë skrupuj të përgjojnë edhe telefonat e kancelarëve gjermanë. Dhe jo pa arsye. Në dekadat e fundit Gjermania ka treguar një vullnet të fshehtë për të fituar një lidership evropian jashtë kontrollit amerikan. Lidhja me Rusinë i jepte mundësi që industria gjermane të siguronte lëndë të para në sasi të palimituara dhe të shkëmbente teknologji me një partner me hapësira po aq pa kufi. Kjo ishte një eksperiencë që ka precedentë edhe pas Luftës së Parë Botërore kur Gjermania e ndaluar nga Traktati i Versajës që të armatosej, i eksperimentonte dhe prodhonte armët e reja në territorin sovjetik.
Aleanca me Kinën i jepte gjermanëve një krah pune të lirë dhe një treg pa fund. Bashkimi i këtyre tre fuqive e bën të pamundur për SHBA-në që t’i përballojë qoftë ekonomikisht, ashtu edhe ushtarakisht në rast të një konflikti hipotetik. Dhe ky ka qenë një shqetësim permanent i elitës ekonomike dhe ushtarake amerikane, që është detyruar dy herë të sjellë ushtarët e saj në territorin evropian për të mbyllur dy luftëra botërore.
Ndaj lufta në Ukrainë ishte një rast për të rivendosur në rresht anëtarët e NATO-s dhe për të rivendosur hierarkinë.
SHBA-në e detyruan Gjermaninë që pas talljes me helmeta që dha në fillim si ndihmë për ukrainasit, të çonte në Ukrainë edhe armatime të rënda. Ndërkohë e detyroi që të diversifikonte burimet e hidrokarbureve.
Kjo nuk do të thotë që gjermanët hoqën dorë nga synimet e tyre. Vizita e kancelarit gjerman në Kinë ishte një sinjal për këtë, por edhe një paralajmërim për SHBA-në që duhet të kenë kujdes. Djajtë janë zgjuar në Gjermani dhe nuk u pëlqen zinxhiri amerikan.
A janë ndarë përfundimisht gjermanët nga ideologjia e tyre ekspansioniste dhe nga nazizmi?
Një komb si ai gjerman, e ka në natyrën e tij imperializmin dhe ekspansionin. Atë që nuk bëri dot me dy luftërat botërore ia ka dalë me ekonominë. Racionaliteti dhe metodizmi gjerman e kanë bërë industrinë gjermane ndër më konkurrueset në botë. Ku nuk ia doli dikur Wermachti, ia ka dalë Volkswageni dhe Mercedesi.
Sa i takon ideologjisë, gjermanët investojnë shumë në luftën kundër trashëgimisë së komunizmit dhe jo pa qëllim. Fondacionet e tyre në gjithë vendet që pushtuan dikur dhe më pas ranë nën sundimin komunist, janë aktive për të propaganduar krimet e komunizmit dhe harruar ato të nazizmit. Sot kemi ligjërues të tërë që mbështeten nga ambasadat gjermane që flasin edhe për kanalet që hapën të burgosurit në kampet e punës, por askush nuk përmend krimet e gjermanëve në vendet e pushtuara. Shembull ekselent është Shqipëria ku ende nuk është kërkuar falje për krimet e tyre ndaj popullsisë shqiptare dhe si shkaktarë kryesorë të ardhjes së komunistëve në pushtet, pasi ishte gjatë pushtimit gjerman që komunistët u forcuan pasi ishin edhe pjesa më aktive në luftën kundër tyre duke nxjerrë jashtë loje bashkë me nazistët edhe nacionalistët.
Sot në ditën e fitores mbi fashizmin dhe të një lufte që po zhvillohet këto ditë në zemër të Evropës, ku mijëra djem ukrainas dhe rusë në lulen e moshës po masakrohen fushave të Ukrainës, bota është mirë të kujtojë se paqja nuk është një gjendje normale e qenies njerëzore, por një dhuratë që fitohet me grykën e pushkës dhe mbrohet me grykën e topit.
Sot kur lufta është në mes të Evropës dhe aleanca të reja po krijohen dhe ekuilibra të rinj po vendosen, shqiptarët duhet të kujtojnë një thënie romake: Si vis pacem para bellum (nëse do paqen, përgatitu për luftë), dhe të mos harrojnë se për arsye interesi, dashurie, apo edhe në dashkeni lajthitjeje, miku i tyre në dy luftëra janë amerikanët. Gjithë të tjerët na kanë përdorur si monedhë shkëmbimi, përfshirë gjermanët./dritare.net