Na ndiqni edhe në

Shëndet

Studimi: Vdekjet tek adoleshentët dhe të rinjtë po rriten

Studimi: Vdekjet tek adoleshentët dhe të rinjtë po rriten

Njerëzit po jetojnë 20 vjet më gjatë se në vitin 1950, sipas një kërkimi të ri që përfshiu të gjitha 204 vende, të cilat raportuan rënie të normave të vdekshmërisë që prej asaj kohe. Por pabarazitë e mëdha vazhdojnë, dhe po shfaqet një “krizë e re” me rritje të shkallës së vdekshmërisë te adoleshentët dhe të rinjtë.

Në vitin 2023, jetëgjatësia mesatare ishte 76.3 vjet për gratë dhe 71.5 vjet për burrat, sipas analizave të publikuara të dielën në revistën The Lancet nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, duke u rikthyer në nivelet para pandemisë, pasi kishte rënë gjatë kulmit të Covid-19.

Sëmundjet jo-infektive tani përbëjnë rreth dy të tretat e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë globale, duke përfshirë si vdekjet ashtu edhe barrën e përgjithshme të sëmundjeve. Edhe pse normat e vdekjes nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru kanë rënë që nga viti 1990, ato janë rritur për diabetin, sëmundjet kronike të veshkave dhe sëmundjen e Alzheimerit.

“Rritja e shpejtë e popullsisë së plakur dhe ndryshimi i faktorëve të rrezikut kanë sjellë një epokë të re sfidash për shëndetin global,” – tha drejtori i IHME, Dr. Christopher Murray. “Të dhënat e paraqitura në studimin Global Burden of Disease janë një sinjal alarmi, që u bëjnë thirrje qeverive dhe drejtuesve të shëndetësisë të reagojnë me shpejtësi dhe strategjikisht ndaj trendeve shqetësuese që po riformësojnë nevojat e shëndetit publik.”

Në mesin e 25 vendeve perëndimore me të ardhura të larta që përfshihen në studim, Shtetet e Bashkuara kishin rënien më të vogël të vdekjeve nga sëmundjet kronike. Sipas kërkimit të ri, rreth gjysma e barrës së sëmundjeve në botë është e parandalueshme, pasi lidhet me dhjetëra faktorë rreziku që mund të ndryshohen. Presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, kolesteroli i lartë, diabeti dhe obeziteti janë ndër 10 faktorët me ndikimin më të madh, sipas IHME.

Nga viti 2010 deri në 2023, është vërejtur një rritje prej 11% e barrës së sëmundjeve për shkak të indeksit të lartë të masës trupore (BMI), e matur në vite jetë të humbura nga paaftësia ose vdekja e parakohshme dhe rritje prej 6% për shkak të sheqerit të lartë në gjak. Faktorët mjedisorë si ndotja e ajrit me grimca të imëta dhe ekspozimi ndaj plumbit ishin gjithashtu ndër rreziqet më të rëndësishme, së bashku me ato që lidhen me shëndetin e të porsalindurve, përfshirë peshën e ulët në lindje dhe shtatzënitë e shkurtuara.

Gjithashtu, shëndeti mendor luan një rol të rëndësishëm në vdekshmërinë globale, sipas studimit të ri, me një rritje të ndjeshme të rasteve të ankthit dhe depresionit. Ndërsa popullsia botërore po rritet dhe plaket, normat e vdekshmërisë te fëmijët dhe të rinjtë janë rritur në disa pjesë të botës. Te adoleshentët dhe të rinjtë, rritja më e madhe e vdekjeve në dekadën e fundit është vërejtur tek mosha 20-39 vjeç në Amerikën e Veriut me të ardhura të larta, kryesisht për shkak të vetëvrasjeve, mbidozave nga droga dhe konsumit të tepërt të alkoolit, sipas kërkimit të IHME.

Vdekjet te mosha 5-19 vjeç janë rritur gjithashtu në Europën Lindore, Amerikën e Veriut me të ardhura të larta dhe Karaibe, si dhe në mesin e të rinjve në Afrikën Sub-Sahariane, kryesisht për shkak të sëmundjeve infektive dhe aksidenteve të paqëllimshme. Në nivel global, për fëmijët 5 deri në 14 vjeç, mungesa e hekurit ishte faktori kryesor i rrezikut, i ndjekur nga faktorë të tjerë që lidhen me ujin e pasigurt, higjienën e dobët dhe kequshqyerjen. Për grupmoshën 15 deri 49 vjeç, dy rreziqet kryesore ishin marrëdhëniet seksuale të pasigurta dhe lëndimet në vendin e punës, të ndjekura nga BMI i lartë, presioni i lartë i gjakut dhe pirja e duhanit.

Në përgjithësi, jetëgjatësia varionte nga deri në 83 vjet në rajonet me të ardhura të larta deri në 62 vjet në Afrikën Sub-Sahariane, sipas IHME. Ky kërkim i ri thekson nevojën urgjente që politikbërësit të zgjerojnë prioritetet shëndetësore, veçanërisht në mesin e adoleshentëve dhe të rinjve, në vend që të kufizojnë burimet.

“Dekada të tëra pune për të mbyllur hendekun në rajonet me të ardhura të ulëta dhe me pabarazi të qëndrueshme shëndetësore janë në rrezik të zhbëhen për shkak të shkurtimeve të fundit të ndihmës ndërkombëtare", tha Emmanuela Gakidou, autore kryesore e studimeve dhe profesore në IHME.

“Këto vende varen nga financimet globale të shëndetit për kujdesin bazë, ilaçet dhe vaksinat që shpëtojnë jetë. Pa to, hendeku me siguri do të zgjerohet"./cnn