
Akt altruist që shpëton jetë, pse duhet të ndërgjegjësohemi për të dhuruar gjak!
Dritare.net
Çdo grup gjaku ka karakteristikat e veta unike që përcaktojnë se kujt mund t'i dhurojë dhe nga kush mund të marrë. Një test të tillë, e bëri dhe gazetarja Rudina Xhunga, duke dhënë një mesazh të rëndësishëm, “dhuro gjak, shpëto tre jetë, dhe tënden katër”.
Për të përmbushur këtë nevojë, shteti dhe Qendra Kombëtare organizojnë fushata të vazhdueshme sensibilizuese, duke përfshirë institucione shtetërore, biznese private dhe duke përdorur njësinë lëvizëse të mbledhjes së gjakut (autohemotekën).
Këto përpjekje sigurojnë që gjaku të jetë i disponueshëm përpara se të lindë urgjenca, pasi procesi i analizimit dhe përpunimit kërkon të paktën 24 orë. Ndërgjegjësimi personal, shpesh i nxitur nga përvojat familjare, mbetet forca kryesore pas këtij akti shpëtimtar.
Përtej aktit altruist të shpëtimit të jetëve, dhurimi i gjakut sjell përfitime të konsiderueshme shëndetësore për vetë dhuruesin.
Studimet shkencore kanë treguar se dhurimi i rregullt ndihmon në mbajtjen e depozitave të hekurit në nivele të shëndetshme. Kjo ul rrezikun për një sërë sëmundjesh kardiovaskulare dhe neurologjike, përmirëson viskozitetin e gjakut dhe mbron nga goditjet në tru.
Pra, mesazhi është i dyfishtë: 'Dhuro gjak për të ndihmuar tjetrin, por edhe për të ndihmuar veten'./dritare.net

















