Na ndiqni edhe në

Emisionet

Edlira Çepani rrëfen jetën pa Gertin: Na ka lënë dashuri sa për tri jetë

Edlira Çepani rrëfen jetën pa Gertin: Na ka lënë

Edlira Çepani ka rrëfyer për herë të parë në mënyrë të detajuar jetën e saj pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, ish-deputetit Gerti Bogdani. E ftuar në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, ajo foli për dhimbjen e humbjes, kujtimet e përbashkëta dhe sfidat me të cilat është përballur pas tragjedisë.

Çepani u shpreh se humbja e Gerti Bogdanit ka qenë një nga padrejtësitë më të mëdha që nuk arrin ende ta kuptojë, duke theksuar se ai ishte epiqendra e familjes dhe mbështetja kryesore në çdo aspekt të jetës së tyre.

“Ka qenë një miksim traume dhe dhimbjeje. Ai ishte epiqendra e familjes sonë për çdo gjë dhe është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë. Por nga ana tjetër, kam marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëzit, që më dhanë forcë të qëndroj në këmbë”, tha ajo.

Edlira Çepani theksoi se reagimi i njerëzve pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit e bëri të kuptonte ndikimin që ai kishte pasur në shoqëri dhe modelin që kishte lënë pas.

“Aty e kuptova sa impakt kishte pasur ai njeri në Shqipëri dhe sa model të bukur kishte dhënë. Kjo është trashëgimia më e bukur që ai ka lënë. Por mbi të gjitha, na mungon shumë si bashkëshort dhe si baba”, u shpreh ajo.

Edlira Çepani rrëfen jetën pa Gertin: Na ka lënë

Gjatë intervistës, Çepani ndau edhe kujtime nga jeta e tyre së bashku, duke treguar se marrëdhënia e tyre kishte nisur që në gjimnaz, ku fillimisht ishin konkurrentë në shkollë, ndërsa më vonë u kthyen në një skuadër të pandashme.

“Kur e kuptuam që funksiononim mirë si skuadër, u kapëm për dore dhe nuk e lëshuam më kurrë njëri-tjetrin. Çdo gjë që kemi arritur, e kemi bërë bashkë. Ai na ka lënë dashuri sa për tre jetë”, tha Çepani.

Ajo foli edhe për karakterin e Gertit, duke theksuar se humori ishte një nga cilësitë më të bukura të tij dhe një nga arsyet që e kishte bërë të dashurohej me të.

“Gerti jetonte me humor. Çdo situatë e kthente në batutë dhe gjithmonë dinte të të bënte të qeshje. Ishte një nga gjërat që më pëlqente më shumë tek ai”, tregoi ajo.

Edlira u ndal edhe te momenti i ndarjes nga jeta të bashkëshortit, duke theksuar se ai nuk kishte pasur probleme të dukshme shëndetësore dhe se mjekët e kanë cilësuar ngjarjen si shkaqe natyrale.

“Nuk kishte probleme shëndetësore të dukshme. Bëmë të gjitha kontrollet dhe nuk rezultoi asgjë. Mjekët e shpjeguan si shkaqe natyrale, por fatkeqësisht po dëgjojmë gjithnjë e më shumë raste të tilla në mosha të reja”, tha ajo.

Në këtë kuadër, Çepani njoftoi se do të ndërmarrë një nismë për vendosjen me ligj të defibrilatorëve në ambiente publike, duke theksuar se pajisje të tilla mund të shpëtojnë jetë në raste emergjente.

“Është një nismë që dua ta ndërmarr, sepse në shumë vende të botës këto pajisje janë të detyrueshme në ambiente publike. Mund të shpëtojnë jetë dhe ne duhet ta kemi këtë mundësi edhe në Shqipëri”, u shpreh ajo.

Në fund të intervistës, Edlira Çepani theksoi se kujtimet dhe dashuria që Gerti Bogdani ka lënë pas janë forca që e ndihmojnë të vazhdojë përpara.

“Ai na ka lënë dashuri sa për tri jetë. Kjo është forca më e madhe për të vazhduar”, përfundoi ajo./K.C/dritare.net