Kujdes nga këto mesazhe në telefonat tuaj, për pakot postare!
Dritare.net

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit ka njoftuar qytetarët për një valë mesazhesh mashtruese SMS, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga shërbimet postare për dorëzimin e paketave.
Këto mesazhe përmbajnë lidhje të dyshimta dhe kërkojnë veprime urgjente nga qytetarët, me qëllim:
përvetësimin e të dhënave personale;
vjedhjen e të dhënave bankare;
aksesin e paautorizuar në llogaritë financiare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike thekson se këto janë tentativa mashtrimi dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
Kujdes:
Mos klikoni në lidhje të dërguara nga numra të panjohur;
Mos jepni të dhëna personale apo bankare;
Mos ndiqni udhëzime që kërkojnë veprim urgjent pa i verifikuar.
Rekomandime:
Fshini menjëherë mesazhe të tilla;
Mos ndërveproni me përmbajtjen e tyre;
Raportoni çdo rast të dyshimtë në kontaktet zyrtare.
Qytetarët këshillohen të jenë vigjilentë dhe të verifikojnë çdo njoftim përpara se të ndërmarrin veprime./K.C/dritare.net