Çfarë ndodh në gjyqet e Berishës? Genc Gjokutaj zbardh përplasjet me prokurorët e SPAK!
Dritare.net

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, ka deklaruar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV se ish-kryeministri nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë dhe se përballja e tij me SPAK-un ka qenë e drejtpërdrejtë, përfshirë edhe debate të forta me prokurorët gjatë seancave të marrjes në pyetje.
“Unë kam hyrë dhe dalë në SPAK dhjetëra herë bashkë me zotin Berisha. Kjo është prova më e qartë që rrëzon pretendimet se ai i shmanget drejtësisë. Berisha është paraqitur sa herë është thirrur”, u shpreh Gjokutaj.
Avokati kritikoi masën e detyrimit për paraqitje, duke theksuar se ajo është vendosur në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk është marrë autorizimi i Kuvendit për një deputet dhe lider opozite.
“Detyrimi për paraqitje, pa autorizim të Kuvendit, për një deputet dhe kryetar të opozitës është i pavend. Masat e sigurimit vendosen për të garantuar prezencën fizike të një personi që tenton t’i shmanget drejtësisë. Një person publik si Berisha është çdo ditë në media dhe nuk ka asnjë mundësi reale shmangieje”, deklaroi ai.
Gjokutaj tregoi se gjatë seancave të pyetje-përgjigjeve në SPAK ka pasur përplasje dhe debate të drejtpërdrejta mes Berishës dhe prokurorëve, të cilët, sipas tij, kanë qenë të papërgatitur.
“Pyetja e parë që iu bë ishte: ‘Ku keni punuar nga viti 1990 e këtej?’. Kjo nuk është pyetje për një person që thirret për korrupsion. Berisha reagoi dhe kërkoi që pyetja të përsëritej, duke e konsideruar të pavend. U krijua debat dhe prokurorët u vendosën në vështirësi. Ka pasur debate të hapura. Berisha u shpjegoi ligjin, ndryshimet e dispozitave, arsyet pse janë bërë ato ndryshime dhe kontekstin institucional. Debati ka qenë në një nivel ku Berisha ishte mbi prokurorët, si në njohjen e ligjit, ashtu edhe në argumentim”, tha avokati.
Sipas Gjokutajt, situata u agravua në mënyrë të panevojshme, duke çuar më pas në arrestimin e Berishës dhe në pengimin e tij për të ushtruar mandatin parlamentar.
“Arrestuan liderin e opozitës dhe e ndaluan të shkonte në Kuvend. Kjo është një shkelje shumë e rëndë. Masa e sigurimit nuk duhet të prekë mandatin e deputetit”, u shpreh ai.
Duke komentuar trupën e SPAK-ut, Gjokutaj bëri dallimin mes profesionalizmit dhe integritetit moral.
“Janë specialistë shumë të mirë nga pikëpamja juridike dhe proceduriale. Nuk kam dijeni që të jenë korruptuar materialisht, por një pjesë e tyre janë korruptuar moralisht, sepse janë vënë në shërbim politik”, deklaroi ai.
Në përfundim, Gjokutaj theksoi se qëndrimi i mbrojtjes nuk është kundër drejtësisë, por kundër përdorimit politik të saj.
“Nuk kërkojmë rrëzim qeverish. Kërkojmë zbatim të ligjit dhe respektim të Kushtetutës. Drejtësia nuk duhet të shërbejë si instrument politik”, përfundoi ai./dritare.net