Na ndiqni edhe në

Emisionet

Nuk e takoi babanë pas daljes nga burgu, Hoxha: Mos gjykoni me sytë e demokracisë!

Nuk e takoi babanë pas daljes nga burgu, Hoxha: Mos gjykoni me sytë e

Abaz Hoxha vendosi të shkojë partizan pavarësisht se babai i tij u arrestua pas konflikteve me Enver Hoxhën se ishte nacionalist. Zoti Hoxha, sot 93 vjeç tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në Dritare Tv se si pas luftës nacionalçlirimtare babai i tij u arrestua, fillimisht u dënua më vdekje, po pastaj në burgim të përjetshëm dhe në fund kreu vetëm 18 vjet burg. I ati i kaloi në burg 18 vjet, ndërsa zoti Hoxha ishte i pari nga djemtë që i shkroi letra dhe vizitoi babanë në burg, edhe pse atëherë nuk lejohej të takoje të burgosur politikë. E takoi në burg, por kurrë pasi doli jashtë. Në bisedë gjatë emisionit Shqip, Hoxha thotë se historia e tij, nuk duhet parë me sytë e demokracisë, por të kohës së atëhershme.

"Unë u bëra partizan pavarësisht se babanë e arrestuan sepse ne në Tragjas u ushqyem me ndjenja patriotike. Unë kam qenë tolerant në këtë drejtim. I shkruaja letra babait që ishte në burg, madje edhe e takoja edhe pse atëherë nuk lejohej të flisje për ta, jo më të shkruaje letra apo t’i vizitoje në burg. Por më lanë ta takoj babanë në burg. Pasi doli nga burgu nuk e takova më babanë. Nuk mund ta takoja, unë isha komunist, ai i burgosur politik. Nëse e takoja më përjashtonin nga partia.

Mos e shikoni historinë me sytë e demokracisë. Atëherë u ashpërsua aq shumë lufta e klasave, sa jo ta takoje, por edhe të thoje një fjalë për të jashtë burgut, të vendosnin në vëzhgim. Vajzat e mia e takuan gjyshin e tyre. Unë për herë të fundit e pashë në Vlorë, ishte në park. I thashë bashkëshortes, shiko atje, është babai im. Ajo donte ta takonte, por unë e ndalova, kisha frikë nga telashet që mund të na pasonin", tregon zoti Hoxha në emisionin Shqip në Dritare TV./L.F-dritare.net