Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Kur fjala shqipe ishte e ndaluar, ishin bektashinjtë që e mbajtën gjallë

Kur fjala shqipe ishte e ndaluar, ishin bektashinjtë që e mbajtën

Në dokumentarin prodhuar nga Dritare TV, gazetari britanik Robert Hackman sjell në dritë një nga të vërtetat më pak të njohura të historisë kombëtare: rolin jetik që luajtën bektashinjtë në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, në kohën kur ajo ishte e ndaluar nga Perandoria Osmane.

Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane ndalonte rreptësisht përdorimin dhe mësimin e shqipes me alfabetin latin, për të parandaluar formimin e një vetëdijeje kombëtare shqiptare. Por në këtë errësirë, teqetë bektashiane u kthyen në qendra të fshehta të diturisë dhe lirisë.

“Teqetë ishin më shumë se vende lutjeje. Ishin shkolla të heshtura, ku fëmijët mësonin gjuhën e ndaluar, ku fjala ‘shqip’ shkruhej me frikë por me dashuri të madhe,” rrëfen Hackman në dokumentar.

Baballarët dhe dervishët bektashinj shpërndanin libra të paligjshëm në shqip, shkruanin në fshehtësi dhe mësonin brezat e rinj të lexonin gjuhën e tyre. Ndër ta, një vend të veçantë zënë baballarët e Frashërit, të cilët edukuan Abdylin, Naimin dhe Saminë, tri figura kyçe të Rilindjes Kombëtare, që më pas do ta shpërndanin këtë dije në të gjithë kombin.

“Ata ishin më shumë se klerikë. Ishin mësues të shpirtit dhe të fjalës. Dhe fjala ishte armë e lirisë,” thotë Hackman me zë të ulët, ndërsa viziton teqenë e Frashërit.

Ky kontribut nuk ishte vetëm akt guximi, ishte një revoltë paqësore përmes dijes. Një revoltë që, siç thotë dokumentari, nuk ngriti flamuj, por fjalë; nuk ngriti armë, por libra.

Bektashinjtë e shikonin gjuhën si një urë kombëtare, jo si një ndarje fetare. Dhe në këtë qëndrim, qëndronte forca e tyre: në vend që të përçanin, ata bashkonin. Në vend që të nxisnin urrejtje, ata mbronin kulturën.

“Pa bektashinjtë, Shqipëria ndoshta do ta kishte folur më vonë gjuhën e vet. Ata e ruajtën si zjarrin në natën e gjatë,” përfundon Hackman./dritare.net