
Aksident i rëndë në Borsh, dy viktima dhe dy të plagosur
Dritare.net
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur këtë të mërkurë në Borsh, Himarë, ku u përplasën një furgon dhe një makinë tip “Benz”. Si pasojë, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.
Viktimat janë një çift bashkëshortësh që udhëtonin me furgonin. Policia njofton se drejtuesi i furgonit, shtetasi K. M., rreth 60 vjeç, dhe një pasagjere që dyshohet të jetë bashkëshortja e tij kanë gjetur vdekjen në vendngjarje. Ndërkaq, drejtuesi i makinës dhe pasagjeri, të plagosur në këtë aksident, po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të përplasjes së rëndë.
“Sot, rreth orës 14:20, në rrugën e Borshit, janë përfshirë në një aksident rrugor një automjet tip “Benz” me një mjet të llojit furgon. Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i furgonit, shtetasi K. M., rreth 60 vjeç, dhe një pasagjere në këtë mjet, e cila dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, punohet për identifikimin e saj.
Gjithashtu, janë dëmtuar dy shtetasit që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi M. Q., dhe pasagjeri, shtetasi P. A., të cilët po transportohen në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“, tha policia në një njoftim paraprak për mediat./K.C/dritare.net

















