Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Chatbotët e Google bien pre e manipulimeve, kompania reagon menjëherë

Chatbotët e Google bien pre e manipulimeve, kompania reagon
Gjigantët e inteligjencës artificiale po përballen me një problem serioz: manipulimin e përgjigjeve të chatbotëve përmes informacioneve të rreme të publikuara online. Një investigim i BBC zbuloi se sisteme si Google, OpenAI dhe chatbotët e tyre mund të “mashtrohen” lehtësisht për të shpërndarë dezinformim tek përdoruesit.

Gazetari i teknologjisë, Thomas Germain, tregoi se brenda vetëm 20 minutash arriti të bindte inteligjencën artificiale të shpallte publikisht se ai ishte kampion bote në ngrënien e hot-dogëve. Ai publikoi një artikull të rremë në faqen e tij personale dhe, një ditë më pas, chatbotët e kompanive më të mëdha teknologjike po e shpërndanin si fakt.

Sipas ekspertëve të SEO dhe inteligjencës artificiale, problemi lind sepse chatbotët shpesh mbështeten në një burim të vetëm online për të ndërtuar përgjigjet e tyre. Kjo i bën ata të cenueshëm ndaj manipulimeve nga kompani apo individë që publikojnë përmbajtje të dizenjuar posaçërisht për të ndikuar tek AI.

Ekspertja Lily Ray paralajmëron se përdoruesit duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi AI po zëvendëson gradualisht kërkimin tradicional në internet me “një përgjigje të vetme”, e cila mund të jetë e pasaktë ose e manipuluar.

Sipas investigimit, teknika të ngjashme janë përdorur edhe për tema shumë më serioze, si këshillat shëndetësore mbi suplementet apo informacionet financiare për pensionet. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë në vendime të rëndësishme të qytetarëve, nga zgjedhjet politike deri te trajtimet mjekësore.

Pas kritikave, Google ka përditësuar politikat kundër spam-it, duke sqaruar se manipulimi i përgjigjeve të AI është shkelje e rregullave të kompanisë. Sipas kompanisë, faqet apo bizneset që tentojnë të manipulojnë sistemin mund të penalizohen ose të hiqen nga rezultatet e kërkimit.

Megjithatë, specialistët thonë se problemi ende nuk është zgjidhur plotësisht. Në disa raste, chatbotët vazhdojnë të japin përgjigje të pasakta, ndërsa kompanitë teknologjike po testojnë mënyra të reja për të identifikuar dhe filtruar përmbajtjet manipuluese./K.C/dritare.net