Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha reagon për protestën e 4 korrikut në Tiranë: Do t’i mbështesim deri në fund

Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestat e zhvilluara para Kryeministrisë, duke i konsideruar kërkesat e protestuesve si të njëjta me ato të forcës politike që ai drejton, pavarësisht thirrjeve të një pjese të tyre që kërkojnë arrestimin e tij. Duke komentuar protestën e 4 korrikut, ku u shfaq edhe një arkivol simbolik për të përfaqësuar, sipas organizatorëve, “fundin politik” të kryeministrit Edi Rama, Berisha e krahasoi ngjarjen me 20 shkurtin e vitit 1991, kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës. Ai shmangu çdo referencë me ngjarjet e shtatorit 1998, kur arkivoli i Azem Hajdarit u soll para Kryeministrisë.


"Mbrëmë qindra mijëra shqiptarë, të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe mbarë bota, ripërsëritën sipas njerëzve të agjencive më prestigjioze të lajmeve në botë, 20 shkurtin e vitit 1991. Ditën në të cilën shqiptarët përmbysën dhe zvarritën shtatoren e Enver Hoxhës dhe së bashku me të përmbysën kultin më të keq në të gjithë historinë e tyre. Mbrëmë, qindra mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik. Sot në vend të dorëheqjes, Edi Rama urdhëroi përsëri, të provojë apo të reklamojë suksese dhe të anatemojë protestën e qytetarëve. Ai foli për një korrje të zezë dhe ujërat që rrjedhin ndër të. Në të vërtetë mbrëmë në Tiranë ishte deti i ujërave të pastërta të popullit shqiptar që kërkon largimin e kreut të meduzës dhe qeverisë së tij kriminale, organizatës kriminale. Ndaj dhe një herë, kërkoj në emër të Partisë Demokratike, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat janë kërkesa njëkohësisht të Partisë Demokratike. Duke shprehur mirënjohje për ata qindra mijëra shqiptarë që protestuan dje në mënyrën më të fuqishme, më madhështore, garantoj se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre. Sikundër denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin indiferent, kërcënues, fyes të Edi Ramës dhe sejmenëve të tij. Dhe paralajmëroj Edi Ramën edhe një herë, i cili para tre ditësh me krenari u shpreh se kishte monopolin absolut të dhunës: Liro menjëherë të arrestuarit dhe hiq dorë nga dhuna. Mos harro, se në përballje me popullin, fuqia nukleare i takon popullit dhe ajo është shkatërrimtare për ty dhe regjimin tënd" , tha Berisha./K.C/dritare.net