Na ndiqni edhe në

Shqip

Ministri Blendi Gonxhja: Turizmi elitar, e ardhmja e Shqipërisë

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq thelbësor për të ardhmen e saj ekonomike, veçanërisht në sektorin e turizmit, i cili kontribuon direkt me rreth 24% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e ka bërë të qartë se koha e promovimit të vendit si një destinacion "low-cost" dhe masiv ka përfunduar. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ministri foli për kostot e fshehura të këtij modeli dhe vuri në dukje se turizmi masiv është ekonomikisht i paqëndrueshëm për shkak të faturës së rëndë që lë pas: trafik kaotik, ndotje mjedisore, kosto të larta për menaxhimin e mbetjeve dhe shkatërrim të infrastrukturës urbane.

Qasja e re qeveritare fokusohet te turizmi elitar. Megjithatë, siç theksohet nga ekspertët e dikasterit, elitar nuk përkthehet vetëm në hotele për miliarderë, por në një model ekonomik inteligjent që maksimizon shpenzimin për frymë të turistëve duke minimizuar gjurmën e tyre negative në territor. Ambicia është të ndërtohen struktura të organizuara dhe resorte komplete, të cilat mbajnë turistët brenda ekosistemeve të mirëmenaxhuara që ofrojnë fusha sporti, salla konferencash, wellness, dhe akses në det e mal. Ky organizim ndihmon në shtrirjen e sezonit turistik dhe diversifikimin e ofertës gjeografike, duke u larguar nga modeli primitiv "një dhomë dhe një shezlong".

Në një analizë të thellë ekonomike, ministri tha se aktualisht miliona euro të qytetarëve shqiptarë rrjedhin jashtë vendit drejt resorteve të organizuara në Turqi e Greqi, pikërisht sepse Shqipëria ka munguar në ofrimin e një pakete të tillë. Për më tepër, kalimi në këtë nivel të lartë turizmi kërkon ndërhyrje masive infrastrukturore: aeroporte të reja, rrugë të përmirësuara, zhvillim të transportit hekurudhor dhe zgjerim të porteve detare e marinave turistike. Sigurisht, thotë ministri kjo strategji nuk do të vijë pa debate të ashpra. Sfida mbetet tek arritja e një balance delikate midis konservimit të peizazheve dhe nevojës ulëritëse për zhvillim ekonomik, në mënyrë që të rriten pagat e vendasve dhe të frenohet emigrimi i punëtorëve të kualifikuar të sektorit të mikpritjes./dritare.net