Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Aksion kundër call center në Tiranë/ Policia: Ja si u zbërthye skema mashtruese

Aksion kundër call center në Tiranë/ Policia: Ja si u

Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar pas aksionit të gjerë të zhvilluar në kryeqytet, ku u godit një rrjet call center-ash të dyshuar për mashtrim kompjuterik. Operacioni, i koduar “Ghost Call”, u finalizua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe Europolin, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Sipas policisë, hetimet kanë zgjatur rreth dy vite dhe kanë nisur pas një kërkese informacioni nga autoritetet austriake, duke çuar në dokumentimin e një veprimtarie të organizuar kriminale në disa subjekte në Tiranë. Gjatë ndërhyrjes, u ushtruan kontrolle në ambiente pune dhe banesa, ku u konstatuan persona që ushtronin aktivitet të dyshuar mashtrimi online.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masa sigurie për disa persona, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, të dyshuara si mjete të përdorura për aktivitetin kriminal.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet.

"Policia sqaron se drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat e hetimit të krimit kibernetik, i cili ka zgjatur rreth 2 vite. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave të krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, duke çuar në zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.


Në zbatim të vendimit nr. 3410 Regj. Them., datë 13.04.2026, Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e kontrollit të ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet “Upstream Creative”, “Magnolia Group” dhe “Zeta Studio”, të ndodhura në rrugën “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Botanik dhe pranë qendrës “Millennium Business Center”, si dhe kontrollin e banesave të 9 shtetasve të dyshuar.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e këtyre subjekteve, u konstatuan operatorë të ndryshëm duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm, çka mundësoi dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u caktuan masat e sigurimit si më poshtë:
• “Arrest me burg” për 7 shtetas, konkretisht për shtetasit E.D. I datëlindjes 24.10.1978; M.H. i datëlindjes 14.07.2002; T.A. i datëlindjes 19.06.2003; L.T. i datëlindjes 28.08.1993 dhe Xh.M. i datëlindjes 05.12.1997, për të cilët u bë ekzekutimi i masave të arrestit. Ndrsa për shtetasit Xh. H. i datëlindjes 10.06.1995 dhe M.L. i datëlindjes 04.12.1997, u bë shpallja në kërkim.
• “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, ku masa u ekzekutua për shtetasen A.V., datëlindja 29.12.1993.

Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, shtetasit:
* K.B. i datëlindjes 06.04.1988;
* E.H. i datëlindjes 17.11.2000;
* B.B. i datëlindjes 02.10.2001;
* K.D. i datëlindjes 15.12.2001;
* E.T. i datëlindjes 04.08.1994.
Si dhe u bë shpallja në kërkim edhe për shtetasin D.J., i datëlindjes 02.08.2002.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas u identifikuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve.

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, të cilët ishin pjesëmarrës gjatë operacionit.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht:
* 443 kompjuterë;
* 238 telefona celularë;
* 6 laptopë; si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Bashkëpunimi i operacionit policor, u drejtua nga Drejtoresha e Krimit Kibernetik Ervina Gjana dhe prokurorja Rovena Zoto.", njofton policia./K.C/dritare.net