Debati për diasporën shqiptare, nën drejtimin e gazetares Rudina Xhunga
Dritare.net

Tirana mirëpret këtë javë në Pallatin e Kongreseve, edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, Nën moton “Diaspora rikthehet në shtëpi!”.
“Diaspora mbarëshqiptare: a po bëjmë çfarë duhet bashkërisht?”, është një diskutim i rëndësishëm i organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në qendër të këtij paneli do të jetë një nga figurat më të njohura të medias shqiptare, gazetarja Rudina Xhunga, drejtuese e Dritare TV.
Rudina Xhunga njihet për kontributin e saj të madh në trajtimin e çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë vendit, duke qenë ndër të parat gazetare që solli diasporën më afër publikut shqiptar përmes intervistave me bashkëkombës në çdo cep të botës. Përmes platformës së saj mediatike Dritare TV, drejtuesja Rudina Xhunga ka krijuar një hapësirë komunikimi dhe rrëfimi për shqiptarët në emigracion, duke i bërë ata pjesë aktive të diskursit publik.
Paneli do të mbledhë personalitete të rëndësishme politike dhe institucionale nga rajoni, përfshirë:
• Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
• Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës
• Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së në Maqedoninë e Veriut
• Dritan Abazoviç, ish-kryeministër i Malit të Zi
• Arbër Gashi, deputet në Parlamentin suedez
• Lazim Destani, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës
Diskutimi do të fokusohet në nevojën për një qasje të përbashkët dhe më të koordinuar ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë në rajon në raport me diasporën. Një theks i veçantë do t’i vihet harmonizimit të politikave, shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimit të mekanizmave të përbashkët institucionalë.
Paneli synon gjithashtu të evidentojë sfidat që lidhen me mungesën e koordinimit dhe fragmentimin institucional, duke nxitur reflektim mbi mënyrat konkrete për të fuqizuar rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe politik të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, drejtimi i diskutimit nga gazetarja Rudina Xhunga pritet t’i japë panelit një dimension më të gjallë dhe gjithëpërfshirës, duke reflektuar edhe përvojën e saj të gjatë në lidhjen e diasporës me realitetin shqiptar.
Ndërkohë, një ftesë e hapur shkon për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit: nëse jeni pjesë e diasporës dhe dëshironi të sugjeroni një temë diskutimi apo të ngrini një çështje konkrete, mund të shkruani në Dritare TV, duke u bërë kështu pjesë e këtij debati të rëndësishëm për të ardhmen e diasporës shqiptare.