
Emrat/ Kush janë dy të rinjtë që ndihmuan Edison Elezajn për të fshehur armën e krimit!
Dritare.net

Policia e Tiranës ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një lokal në kompleksin Deliorgji, ku Edison Elezaj, djali i biznesmenit të ujit “Lajthiza” plagosi me armë tre persona.
Mësohet se janë vënë në pranga dy të rinjtë, Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj pasi kanë ndihmuar autorin që të fshehë armën me të cilën qëlloi vëllezërit Pengili 36 dhe 34 vjeç, dhe 36 vjeçaren Pinari.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, ju informojmë se: Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:
- u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje", parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;
- u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes. Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njofton policia./M.K-dritare.net

















