
Pas Thethit, aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës. Prej 3 ditësh, fadromat e IKMT-së kanë zbritur në terren dhe po prishin objekte pa leje, mes tyre bujtina prej druri, por edhe objekte me strukturë betoni.
IKMT thotë se më datë 11 shtator janë prishur në total 8 objekte pa leje, ndërsa dje ka vijuar puna për prishjen e 12 objekteve të tjera pa leje.
Aksioni i ditës së sotme ka përfshirë tre bujtina druri të ndërtuara nga banorët vendas, pranë hyrjes së Parkut Kombëtar të Valbonës. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë evidentuar 20 objekte të paligjshme, ndërsa deri tani janë shembur 15 prej tyre.
Shumica e ndërtimeve janë prishur nga vetë pronarët, ndërsa të tjerat po ekzekutohen nga forcat operacionale në terren.Operacioni, i mbështetur edhe nga Bashkia e Tropojës, do të vijojë deri në shembjen e të gjitha ndërtimeve të konstatuara si të paligjshme brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar.
Kjo është ndërhyrja e dytë në zonat e mbrojtura, pas shembjeve masive në Theth, gjatë muajit korrik. Aksioni në Theth u shoqërua me një sërë kritikash nga kryeministri Rama për shkak të 12 kabinave pa leje të ngritura mu në zemër të Thethit, përballë Kishës simbol të zonës.
IKMT ka paralajmëruar se operacionet për lirimin e hapësirave publike do të shtrihen në të gjithë vendin.

















