Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fjalimi prekës i gruas së Charlie Kirk. Mesazhi i saj për vrasësin e burrit!

Fjalimi prekës i gruas së Charlie Kirk. Mesazhi i saj për
Erika Kirk, gruaja e Charlie Kirk. foto:BBC

Erika Kirk, gruaja e Charlie Kirk, mbajti një fjalim emocionues dhe plot lot nga selia qendrore e organizatës Turning Point USA, vetëm pak ditë pas vrasjes tragjike të bashkëshortit të saj gjatë një aktiviteti në një kampus universitar në Utah.

Duke qëndruar pranë karriges bosh që Charlie përdorte gjatë regjistrimeve të podkastit të tij, Erika falënderoi me emocion ekipet e ndihmës së shpejtë që u përpoqën t’i shpëtonin jetën, si dhe stafin e bashkëshortit të saj, Presidentin Donald Trump dhe Zëvendëspresidentin JD Vance.

Fjalimi prekës i gruas së Charlie Kirk. Mesazhi i saj për
Erika dhe Charlie Kirk në Turning Point USA Ball në Uashington DC në janar FOTO:BBC

Në një moment të ndjerë, ajo foli për dashurinë e thellë që Charlie kishte për familjen, Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Trump.

“Zoti President, burri im ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë,” u shpreh ajo me zërin që i dridhej nga emocionet. Ajo falënderoi gjithashtu JD Vance dhe gruan e tij, Usha, për mbështetjen, pasi ata shoqëruan arkivolin e Charlie-t nga Utah në Arizona me avionin zyrtar të Zëvendëspresidentit, Air Force Two.


Erika Kirk, 36 vjeç, theksoi se ndonëse bashkëshorti i saj nuk jeton më, misioni i tij do të vazhdojë.

“Zëri i burrit tim do të mbetet,” tha ajo, duke shtuar se eventi filloi me minuta heshtje dhe me kamerën që tregonte karrigen bosh të Charlie-t.


Duke iu drejtuar autorit të vrasjes, ajo tha:

“Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje. Britmat e kësaj nëne dhe bashkëshorteje do të jehojnë në gjithë botën si një thirrje beteje.”


Ajo shprehu dhimbjen e thellë përballë dy fëmijëve të tyre të vegjël një djalë njëvjeçar dhe një vajzë trevjeçare dhe sfidën për t’u shpjeguar atyre mungesën e papritur të babait të tyre.

“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin,”-tha ajo, duke iu drejtuar vajzës së tyre.


Një jetë e dedikuar konservatorizmit


Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një nga figurat më të njohura dhe më polarizuese të lëvizjes konservatore në SHBA. Ai themeloi organizatën Turning Point USA në moshën 18-vjeçare dhe u bë një zë i rëndësishëm në politikën amerikane, duke mobilizuar të rinjtë konservatorë dhe duke mbështetur fuqimisht Donald Trump.

Kirk ishte mbështetës i vendosur i të drejtave për armëmbajtje, kundërshtar i abortit dhe kritik ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Ai shpesh organizonte debate të drejtpërdrejta në kampuse universitare në SHBA, përmes turneut të tij “The American Comeback Tour”, i cili synonte të nxisë debat publik dhe të sfidojë pikëpamjet liberale.

Ai u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një eventi në Universitetin e Luginës së Utah, teksa po përgjigjej në një pyetje për dhunën me armë dhe komunitetin transgjinor në SHBA. Autori i dyshuar, Tyler Robinson, u arrestua një ditë më pas, pasi iu dorëzua autoriteteve.

Donald Trump ka njoftuar se pas vdekjes do t’i japë Charlie Kirk Medaljen Presidenciale të Lirisë – nderin më të lartë civil në Shtetet e Bashkuara duke e përshkruar atë si një “gjigant të brezit të tij dhe një kampion të lirisë”.

Organizata Turning Point USA e përshkroi Kirk si një “martir” dhe “pionier” të lëvizjes konservatore.

“Charlie ishte bashkëshorti ideal dhe babai perfekt. Ju lutemi të luteni për familjen Kirk pas kësaj humbjeje të pakuptueshme,” thuhet në deklaratën e organizatës.


Erika Kirk, një grua biznesmene, aktore dhe ish-Miss Arizona USA, aktualisht ndjek studime doktorale në studime biblike dhe është prezantuese e podkastit fetar “Midweek Rise Up”.

Ajo ka gjithashtu një linjë veshjesh të frymëzuara nga besimi dhe është e përkushtuar ndaj shërbesave fetare.

Pavarësisht tragjedisë, ajo konfirmoi se turneu dhe podkasti i bashkëshortit të saj do të vazhdojnë në nder të trashëgimisë së tij./E.P-dritae.net