GJKKO pezulloi Ballukun, Rama: Do t'i drejtohemi Kushtetueses
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama u pyet sërish për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku gjatë konferencës për mediat pas përfundimit të Samitit të Planit të Rritjes. I pyetur nëse do ta shkarkojë atë, Rama deklaroi se qeveria do të respektojë vendimin e gjykatës dhe se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Rama e lidhi këtë situatë me, sipas tij, një “epokë të re” në të cilën ka hyrë Shqipëria, duke theksuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si një nga arsyet kryesore pse vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Fakti që sot mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë. Në këtë epokë të re, Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye,” deklaroi Rama.
Ai theksoi se pavarësia e gjyqësorit nuk është një slogan apo manovër politike, por një shkëputje historike nga e kaluara, duke nënvizuar se kjo ka sjellë zhvillime pozitive dhe, sipas tij, “varrosjen e kulturës 100-vjeçare të pandëshkueshmërisë”./L.F-dritare.net