
Nga Skënder Minxhozi
A mos ka Shqipëria një problem specifik me ministret e brendshme të Britanisë së Madhe?! Apo mos dy zonjat, përkatësisht Suella Braverman dhe Shabana Mahmood, janë thjesht rastësisht dy zyrtare të larta me qëndrime identike dhe shënjestruese ndaj komunitetit shqiptar në Britani në vitet e fundit? Natyrisht që qeveria shqiptare s’ka pse të ketë problem me dy politikane gra, për sa kohë Edi Rama e ka kthyer në mani futjen në kabinetin e tij të grave.
Çeshtja duket e gjitha e fokusuar tek zhvillimet e brendshme në politikën britanike dhe për këtë arsye është edhe një çeshtje e sforcuar pasi është e njëanshme. Deklarata e sekretares së brendshme Mahmood për kthimin në Shqipëri të 700 familjeve shqiptare është jo vetëm një piketim i sforcuar i një komuniteti etnik, siç e quajti me të drejtë kryeministri Rama në replikën e tij, por njëherësh është edhe një nënvizim i tepruar i një “fenomeni shqiptar” i cili pas marrëveshjeve dypalëshe praktikisht ka pushuar së qeni i tillë.
Siç e vinte në dukje shtypi britanik dje, që nga viti 2022 Britania e Madhe ka kthyer 13 mijë shtetas shqiptar në vendin e tyre të origjinës pikërisht pas marrëveshjeve dypalëshe mes Londrës dhe Tiranës. Pa folur për faktin që përmasat e emigracionit shqiptar në ishullin britanik nuk janë kurrsesi të krahasueshme me komunitetet e tjera etnike nga Azia, Afrika apo kontinentet e tjera.
Nuk do shumë mund të kuptohet se piketimi i Shqipërisë në këtë rast ka lidhje me një hatërmbetje, e cila në muajin maj e ekspozoi shumë keq kryeministrin britanik Starmer gjatë vizitës së tij në Tiranë. Pala shqiptare ktheu pas kërkesën e Londrës për një hapur një qendër pritjeje për emigrantët, në shembullin e precedentit italian me Gjadrin. Starmer u sulmua ashpër asokohe që nuk mundi të bindë kryeministrin Rama për të pranuar të njëjtin trajtim që ju ofrua kryeministres Meloni më herët.
Në anën tjetër ky është rasti klasik kur një vend i vogël dhe i varfër keqpërdoret në lojën e brendshme politike të një vendi të madh. Laburistët ndjejnë mospëlqimin e publikut britanik për ekonominë, emigracionin dhe përgjithësisht klimën e pasgirut që kalon sot vendi. Ndjejnë gjithashtu se ksenofobia e ashpër e Nigel Farage dhe fajësimi i të huajve si shkak i të gjitha të këqiave, janë faktorë që mund t’i largojnë nga pushteti vendor në zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2026.
Shqipëria e vogël dhe shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me këto dinamika të brendshme. Kanë fajin e vetëm të të qenit “aliens”, pra të huaj. Duke u bërë kësisoj gjah i majmë për debatin politik të brendshëm në ishullin britanik. Ndërkohë që vetë ata, pra britanikët, shprehen në mënyrë të përsëritur për vlerësimin që kanë për ne dhe punët tona të brendshme. Aq sa ata nuk humbasin rast për ta në dhënë mësime për shumëçka ndodh këtu tek ne.
Meqë ra fjala, edhe një vrojtim periferik nga Tirana, sa i përket rolit të Britanisë së Madhe në skenën shqiptare këto vitet e fundit. Siç dihet Britania e Madhe ka dalë nga Bashkimi Evropian që nga 31 janari i vitit 2020. Megjithatë, në këtë cep të Evropës diplomatët britanikë pretendojnë të luajnë të njëjtin rol mbikqyrës e kujdestar, si në kohët kur flisnin si anëtarë të BE. Sot ambasadën ose ambasadorin britanik i gjen me qëndrime dhe pjesëmarrje në të gjitha demarshet që bën trupi diplomatik i huaj në Tiranë në lidhje me çeshtje nga më të ndryshmet. Për drejtësinë, korrupsionin, trafiqet e krimin apo edhe standartet demokratike në përgjithësi. Një lloj autoriteti moral suprem, të cilin ja kemi dhënë amerikanëve për arsye të kuptueshme, jau kemi vendosur në sini të argjendtë edhe evropianëve për shkak se po hyjmë në klubin e tyre, por s’dihet për çfarë arsyesh duhet të vazhdojmë t’ua akordojmë edhe britanikëve. Sidomos kur vijojnë të na përdorin në lojën e tyre politike si një popull varkash që duhet përzënë një orë e më parë nga toka e tyre./dritare.net