Gjykata Kushtetuese mblidhet për çështjen e Ballukut: Na duhet më shumë kohë
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese u mblodh ditën e sotme për shqyrtimin e çështjes së ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, por ende nuk ka dalë me vendim. Gjykata tha se i duhet më shumë kohë për të përfunduar shqyrtimin e ankimit të qeverisë.
Ndërkohë, të mërkurën, më 28 janar, do të mblidhet edhe Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku.
SPAK i kërkoi Kuvendit më 16 dhjetor autorizimin për arrestimin e Ballukut, duke kërkuar rrjedhimisht heqjen e imunitetit të saj për të mundësuar marrjen e masave ligjore. Seanca në Kushtetuese për Ballukun u mbajt më 22 janar, pa praninë e saj. Qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të pezullimit të zv/kryeministres nga Gjykata e Posaçme, ndërsa SPAK e kundërshtoi kërkesën. Vendimi i gjykatës duhet të shpallet brenda 30 ditëve.
Kjo zhvillim vjen ndërkohë që SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, menjëherë pasi Kushtetuesja e riktheu atë në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit.
Balluku është e pandehur për shkelje në tenderin 190 milionë euro për Tunelin e Llogarasë dhe ndodhet nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe. SPAK dyshon se, duke qenë në detyrë, ajo mund të prishë prova hetimore dhe të ndikojë dëshmitarët./L.F-dritare.net