Replika mes socialistëve për buxhetin 2025/ Braçe pyet Ballën: Kryetar, si të votoj, pro apo kundër?
Dritare.net

Debate dhe replika janë shënuar në seancën plenare të Kuvendit mes deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Taulant Balla, gjatë diskutimit për aktin normativ të rishpërndarjes së buxhetit 2025.
Përmes këtij akti normativ, qeveria parashikon që çdo fond i pashpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar të transferohet në llogarinë e pensioneve. Ky vendim ka ngjallur reagimin e deputetit Erion Braçe, i cili pak javë më parë kishte propozuar të njëjtën ide për buxhetin 2026 përmes një amendamenti, i cili u rrëzua nga mazhoranca.
Gjatë fjalës së tij, Braçe ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin që duhet të mbajë në votim, duke iu drejtuar kreut të grupit parlamentar të PS-së:
“Si të votoj sot kryetar? Është propozimi im që u votua kundër pak ditë më parë”, u shpreh Braçe.
Nga ana tjetër, Taulant Balla sqaroi se akti normativ nuk mund të ndryshohet në seancë, por vetëm të miratohet ose rrëzohet, duke shtuar se qeveria dhe pushteti vendor po vlerësojnë gjithashtu dëmet e shkaktuara nga fenomenet natyrore.
Replikat vijuan edhe pas këtij sqarimi, ku Braçe theksoi se nuk kishte kërkuar ndryshim të aktit, por po evidentonte faktin se një amendament i rrëzuar më parë po rikthehej tashmë nga qeveria në formë akti normativ.
Në debat ndërhyri edhe ministri Petrit Malaj, i cili deklaroi se çdo shumë e pashpenzuar do të përfundojë pranë fondit të pensioneve:
“Nëse do të jenë 30 miliardë lekë të pashpenzuara, 30 miliardë do të kalojnë në llogarinë e pensioneve”, tha Malaj./L.F-dritare.net