Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hagë/ Mbrojtja e Thaçit nis fjalën përmbyllëse: Pafajësia është pika e nisjes

Hagë/ Mbrojtja e Thaçit nis fjalën përmbyllëse:

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, e ka nisur fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale duke theksuar se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe se kjo duhet të jetë pika e nisjes për vendimmarrjen e trupit gjykues.

“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u tha Misetic gjyqtarëve.

Në paraqitjen e tij, avokati përmendi dëshmitë e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët sipas tij kanë deklaruar se Thaçi ka bërë thirrje kundër dhunës gjatë periudhës së luftës. “Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë”, citoi Misetic nga dëshmitë e paraqitura.

Ai shtoi se Prokuroria po përpiqet të minimizojë ose të hedhë poshtë dëshmitë e ndërkombëtarëve, duke pretenduar se ata nuk kanë qenë të informuar saktë. Sipas mbrojtjes, ky pretendim nuk qëndron, duke pasur parasysh – siç u shpreh Misetic – “mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat publike në televizione”.

“Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, deklaroi avokati, duke kërkuar nga trupi gjykues që të vlerësojë provat në përputhje me standardin “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Fjalët përmbyllëse të mbrojtjes pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, para se çështja t’i kalojë për vendimmarrje trupit gjykues./L.F-dritare.net