Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e veçantë e të riut nga Indonezia që këndon shqip!

Historia e veçantë e të riut nga Indonezia që këndon

Në një kohë kur historitë e integrimit dhe pasionit për kulturën shpesh frymëzojnë publikun, një i ri nga Indonezia po tërheq vëmendjen e të gjithëve në Shqipëri. Vetëm 25 vjeç, Kim Anpantohir Moalana nuk është thjesht një student i huaj në Tiranë, por një shembull i gjallë i lidhjes së fortë që mund të krijohet mes kulturave të ndryshme. I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, ai rrëfeu rrugëtimin e tij nga ardhja rastësore për studime, deri te dashuria për gjuhën shqipe, muzikën dhe jetën në Shqipëri, duke u bërë gjithnjë e më i njohur edhe në rrjetet sociale për interpretimet e tij të këngëve popullore shqiptare.

Nga një poster në WhatsApp… në Tiranë
Ai tregoi se gjithçka nisi rastësisht:
“Gjeta një informacion në një grup në WhatsApp, aplikova dhe u pranova,” tha ai, duke shtuar se në vitin 2021 erdhi për të studiuar gjuhë dhe letërsi angleze në Shqipëri, ndërsa më vonë u rikthye sërish për studime masteri.

Sfida e gjuhës dhe përshtatja me jetën në Shqipëri
Kim pranoi se fillimi nuk ishte i lehtë:
“Në fillim ishte shumë e vështirë, nuk kisha as YouTube apo libra për shqipen, por me kohën mësova çdo ditë,” u shpreh ai, duke shtuar se sot arrin të flasë dhe të komunikojë lirshëm me vendasit. Ai tregoi gjithashtu se jeton në Tiranë, pranë universitetit dhe aktualisht në konvikt me studentë ndërkombëtarë, pasi më parë kishte jetuar me studentë nga Indonezia.

Miqësia dhe jeta studentore
Kim theksoi se është integruar mirë në shoqëri:
“Kam shumë shokë shqiptarë, luajmë volejboll bashkë dhe kalojmë shumë kohë,” tha ai, duke shtuar se pikërisht përmes sportit ka mësuar edhe shumë fjalë shqip.

Dashuria për kulturën shqiptare dhe muzika
Një nga momentet më të veçanta të intervistës ishte pasioni i tij për muzikën popullore shqiptare. Ai tregoi se kënga e parë që mësoi ishte ajo për Elbasanin dhe se ka mësuar edhe këngë të tjera të njohura, duke përfshirë këngët e Ylli Bakës, të cilat i ka interpretuar edhe në rrjete sociale duke u bërë viral.

Kim madje surprizoi publikun duke kënduar live në studio këngën "Baftjar".

Ai tregoi edhe një moment të veçantë:
“Jam habitur kur Ylli Baka më ka bërë video-call. Nuk e prisja kurrë të flisja me një artist kaq të njohur,” tha ai me emocion.

Shqipëria si “shtëpia e dytë”
I riu u shpreh se ndihet shumë i lidhur me vendin tonë:
“Shqipëria është si shtëpia ime e dytë. Kam njohur shumë njerëz dhe kam një familje shqiptare këtu,” tha ai.

Planet për të ardhmen
Kim nuk e përjashton qëndrimin afatgjatë në Shqipëri:
“Nëse gjej punë si këngëtar, prezantues apo pedagog, do të qëndroj këtu,” u shpreh ai, duke lënë të hapur mundësinë e një karriere artistike në vendin tonë./K.C/dritare.net