U hoqën si agjentë të BKH-së, 3 të rinj marrin peng ndërtuesin dhe e dhunojnë në një magazinë në Durrës!
Dritare.net

Një ndërtues 32-vjeçar është marrë peng nga 3 të rinj, të cilët i kërkonin 2 mln euro. Ngjarja ka ndodhur më 31 mars, por 2 prej autorëve, Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza 25 vjeç, janë arrestuar sot nga Policia e Tiranës. Ndërkohë, 28-vjeçari Jurgen Neza, vëlla me Hysenin, është shpallur në kërkim nga blutë.
Tre personat, dy vëllezërit Neza Kevin dhe Jurgen Neza dhe kushëriri i tyre, Hysen Neza, rezultojnë emra të njohur për policinë, me precedentë penalë për vjedhje dhe përfshirje në konflikte të ndryshme.
Personi i marrë peng rezulton të jetë një biznesmen nga Divjaka me mbiemër Sula, i cili ishte në shënjestër prej kohësh nga 3 Nezët. Sula rezulton të jetë kthyer nga jashtë rreth 2 muaj më parë.
Autorët, sipas burimeve pranë policisë, i kanë monitoruar me kujdes lëvizjet e tij gjatë ditëve të fundit, duke përgatitur skenarin e rrëmbimit. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku biznesmeni ishte duke konsumuar një kafe.
Sapo është larguar nga lokali dhe ka hyrë në një rrugicë, tre autorët i janë afruar, njëri prej tyre ka qenë me kapele dhe syze, ndërsa 2 vëllezërit me maskë farmacie dhe syze. Ata janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe, nën këtë mashtrim, e kanë detyruar të hipte në automjet. Fillimisht i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë eurosh. Pas refuzimit, e kanë dhunuar fizikisht dhe kanë ulur kërkesën në 1 milion euro. Edhe kjo shumë është kundërshtuar nga biznesmeni, i cili ka deklaruar se nuk disponon para të tilla. Nën presion, autorët kanë zbritur kërkesën në 500 mijë euro. Në këtë pikë, ata e kanë liruar me kushtin që të siguronte shumën e kërkuar. Menjëherë pas lirimit, biznesmeni i është drejtuar policisë, ku ka denoncuar me detaje të gjithë ngjarjen, duke vënë në lëvizje për kapjen e autorëve.
Sula është mbajtur gjithë natën në magazinë në Xhafzotaj, duke u dhunuar dhe më pas në mëngjes është lënë i lirë. Identifikimi i autorëve është bërë nga kamerat e sigurisë përgjatë zonave ku kanë kaluar pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.
Biznesmeni 32-vjeçar F. Sula rezulton ndërtues. Autorët kishin siguruar të dhëna nga persona të tjerë të paidentifikuar ende se ndërtuesi i pallateve mund të kishte shuma të mëdha parash me vete.
Njoftimi i plotë i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet”.
Morën me forcë një 32-vjeçar, e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për përfitimin e një vlere monetare, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit: -u ndaluan shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç; -u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./dritare.net