
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë komentuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë me prezencën e Presidentit të SHBA, Donald Trump.
Hoti tha se kanë marrë zotim për një miliard euro financa të ofruara dhe zotim të presidentit amerikan Donald Trump që të gjitha projektet e përfshira të fillojnë së zbatuari brenda një viti.
Ndërkohë Hoti njoftoi se Izraeli do e njoh Kosovën dhe shumë shpejt të dyja vendet do të lidhin marrëdhënie diplomatike.
“Elementi i dytë i rendesishem i kësaj marrëveshje është njohja reciproke nga shteti i Izraelit. Sapo kisha një telefonatë kryeministri izraelit. U dakorduam që menjëherë të vendosim marrëdhënie diplomatike ne Izraelin”, tha Hoti.
“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm për shtetin e Kosovës. Kjo mbështetje që vjen nga Shtëpia e Bardhë është esenciale për rrugëtimin tonë drejt BE OKB dhe organizatave tjera ndërkombëtare”, shtoi ai.
“Ambasada do të vendoset në Jerusalem së shpejti”, tha Hoti.
Kryeministri është i bindur se kjo marrëveshje është hap i madh drejt marrëveshjes finale me Beogradin zyrtar.
“Ne këtë marrëveshje e shohim si hap të madh drejt arritjes së marrëveshjes finale dhe njohjes reciproke me Serbinë’, tha Hoti.
“SHBA na e mundësoi marrëveshjen me Izraelin dhe në këtë na e mundësuan si shtet”, shpjegoi Hoti.
Nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar se rezistenca e tij në SHBA ia arriti qëllimit dhe Kosova nuk është njohur në Uashington.
Vuçiç thotë se serbët mund të qëndrojnë të qetë pasi Kosova nuk u njoh.
Po ai zbulon se shqiptarët janë vetofruar që të nënshkruajnë gjithcka nëse Serbia do të firmoste për pikën 10, që ishte njohja reciproke.
“Shqiptarët thanë se do të nënshkruanin gjithçka nëse kthehej pika 10. Nuk ka njohje të ndërsjellë, serbët mund të qëndrojnë të qetë. Kur bëhet fjalë për Mini Schengen, ata kishin disa kundërshtime, ata u përzien me Shengenin, as ne dhe as amerikanët nuk e kuptuam vërtet.
Kjo është një marrëveshje e mirë për Serbinë, do të tingëllojë triumfale nëse them urime, por unë jam sinqerisht i kënaqur dhe të gjithë anëtarët e delegacionit, me atë që kemi arritur,” tha Vuçiç./ I.M-Dritare.net

















