
A do të jetë Hashim Thaçi Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë!
Dritare.net
Gazetari Ardit Rada ka hedhur një hipotezë të fortë gjatë emisionit “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, duke sugjeruar se mund të ekzistojnë plane që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të zgjidhet president i Shqipërisë.
Rada shprehet se Kosova ka nevojë për një përfaqësim më të madh nga Shqipëria, duke pasur parasysh proceset në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Sejdinin. Ai ndan një tezë që po qarkullon së fundmi, sipas së cilës kryeministri shqiptar, Edi Rama, mund të planifikojë zgjedhje të parakohshme për të ndihmuar Thaçin të lirohet nga akuzat dhe për të vendosur presion mbi sistemin gjyqësor.
“Nuk përjashtohet mundësia që Rama ta shkarkojë me marrëveshje presidentin Begaj para përfundimit të mandatit dhe të zgjidhet Hashim Thaçi si president i Shqipërisë. Ai i plotëson kushtet ligjore, ka pasaportën shqiptare” tha Rada.
Roland Qafoku e pyeti se si do të ndihmonte kjo Thaçin.
Rada u përgjigj: “Së pari, e nxjerr automatikisht nga qelia, sepse nuk mund të qëndrojë asnjë president i Shqipërisë brenda në burg. Së dyti, është një tezë pak e çuditshme, sepse i bie që Thaçi të lirohet, ndërsa katër të tjerët të mbeten në Hagë. Por nga ana tjetër mund të jetë një goditje për sistemin e drejtësisë të Gjykatës Speciale që Rama, sa herë bie fjala te Kosova dhe Thaçi, e godet procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë për ish-komandantët e UÇK-së.”, tha Rada në DritareTV./dritare.net

















