Kjo është Yrmela Bato, e reja që bën art me baltë!
Dritare.net
Nga Rovena Kallço
Fakulteti i hapi dyert e jetës. Yrmela Bato prej 1 viti ka arritur të hap ekspozitën e saj të punimeve prej balte. Edhe pse brezi i ri ishte më i fokusuar në teknologji dhe ndryshime moderne, Yrmela është e vendosur të ruajë artin e baltës. Ajo besonte se çdo enë e bërë me duar ka një anë emocionale të saj brenda, gjë që e mbante të gjallë traditën që kishte përcjellë nga brezi në brez.
“Ide dhe pasioni për poçari ka nisu që me nisjen e fakultetit në Akademinë e Arteve, më pas fitove një start-up nga Fondi i Zhvillimit për hapjen e kësaj punishteje dhe ekspozite.”
Talentin e ka trashëguar nga nëna e saj , e cila e ka mësuar dhe e ka drejtuar në këtë zanat.
“Punoj bashkë me mamanë. Mamanë e ka mësuar, titanitin e ka pasur që në lindje unë i kam mësuar vetëm teknikën. Materialet i marr në Greqi pasi janë të certifikuara nga BE-ja.”
Përfundim i punimeve që në shikojmë në rrjete sociale, apo në galeri është një proces i gjatë. Yrmela tregon se pjesa më e vështirë është pjekja e punimeve.
Procesi për të finalizuar një produkt me baltë është goxha i gjatë, fillon puna me baltën dhe materialit e ngurtësuar e pjek dhe më pas i vendos lazgurën në fund, që është ajo si tip lustër. Në film duhet të punohet mirë balta që të marrë strukturën e duhur dhe t’i ikin ato flluskat. Procesi i pjekjes është më i vështiri pasi merr 24 orë, dhe temperatura nuk duhet që të kalojë 1300 gradë.
Sa i përket tregut të punës Yrmela tregon se të bësh biznes në Korçë është pak e vështirë pasi kërkesat janë për gjëra të vogla.
"Korça është një qytet i vogël dhe nuk është aq shumë premtuese, por porositë më të shpeshta që marr janë gota, vazo të personalizuara. Synoj që të arrij një marrëveshje me hotelet dhe resortet për pjesën e dekorimit.
Një problem tjetër është se nuk dalin të gjitha njëlloj, është art, të bëra me dorë dhe e kam të pamundur që t’i bëj të gjitha identike. Nuk është përsosmëri apo profesion është art. Dhe kjo i step deri diku klientët. Kostoja më e madhe është energjia që konsumohet dhe materialet. Pastaj gjatë pjekjes ka dhe raste ku ka dhe shumë dëmtime për shkak të reaksionit që mund të krijohet me bojërat. Nëse e fut në ujë nuk ka më kthim pas. Ka koston e vetë si zanat. Përpiqem gjithmonë që produktet që nxjerr nga duart që nxjerr nga duart dua që përveçse të jetë e bukur dua që të jetë ekologjike dhe të përdoret për konsum.“
Arritja më e madhe deri tani për këtë 28-vjeçare është hapja e ekspozitës ku nxjerr edhe produkte në shitje.
“Kam një vit që po merrem me projektin dhe kam filluar që po nxjerr produktet e para. Nuk e shikoj si burim të ardhurash më shumë e bëj për pasion.“
Në punishten e saj shikon plot piktura, Yrmela trego se pasioni i saj për pikturën është i lidhur ngushtë me të dhe familjen e saj.
“Jemi si familje që pikturojmë të gjithë. Unë, mami dhe motra pikturojmë po ashtu. Talentin ma ka zbuluar familja, doemos ngaqë është i trashëguar.”
Megjithatë, në kohën ku po jetojmë zanati i punimit të baltës nuk është më një burim i mjaftueshëm të ardhurash për të siguruar një jetë të mirë. Yrmela koshiente për këtë tregon se vendosi të vazhdojë me pasionin e saj, edhe pse kishte sfida të mëdha përpara. Ndërsa punon për të mbajtur gjallë këtë art të vjetër, ajo është e detyruar të kërkonte mundësi të tjera për të mbajtur veten dhe të mbështesë pasionin e saj.
“Bëjë punë të tjera për të fituar të ardhura, nuk pres që të mbahen nga poçaria. Por, jam me idenë që nëse ecën, dua që të ecë nga dëshira dhe pasioni që unë kam. Pavarësisht se tregu është jo premtues unë përsëri kam për ta vazhduar.”
Kjo 28-vjeçare punon si “interior desinger“ pasi enët e baltës nuk janë të mjaftueshme për të jetuar. Në mesin e krizës globale të COVID-19, Yrmela humbi babanë e saj. 28-vjeçarja tregon se ai ishte një mbështetje e madhe për të dhe një inspirim në çdo hap të rrugëtimit të saj artistik. Humbja e tij ishte një goditje e rëndë e cila i la një boshllëk të madh në jetën e saj dhe në zemrën e Yrmelës.
“Pas përfundimit të shollës shkova në Francë, por humbja e babait nga virusi Covid-19 më bëri që të kthehesha në Shqipëri dhe të jetoja në Korçë. Doja që të isha afër me mamanë dhe ta kalonim bashkë atë fazën e vështirë.”
Yrmela e shndërron çdo hapësirë saj në një studio arti, ku punon me balte dhe krijon veprat e saj artistike. Për të, çdo moment i kaluar në krijimtarinë e baltës është një mundësi për të shpërthyer dhe për të shprehur dashurinë e saj për këtë zanat të vjetër.
Puna disi më e vështirë për Yrmelën është punimi i filxhanëve.
“Filxhanët janë produkti më i shtrenjtë dhe më i vështiri për t’u bërë, sepse duhet të kenë qëndrim dizajn dhe ngjashmëri me njëri-tjetrin.“
Pavarësisht dhimbjes dhe sfidave që ka përjetuar, Yrmela vazhdoi të ndjekë pasionin e saj për zanatin e baltës. Ajo e përdori artin si një mënyrë për të shprehur ndjenjat dhe për ti bërë ballë sfidave që jeta i solli.
“Nga dëshira që të shikosh edhe më mirë përballesh edhe më keq. Të përshtatesh me vendin e huaj është shumë e vështirë.”
Ndonëse ajo e zotëron këtë zanat prej vitesh ajo e di rëndësinë dhe vështirësinë e këtij zanati dhe është e bindur se mbart në duart e saj një talent.
“Është një zanat që është shumë i vështirë, kërkon mjeshtërinë e tij. Unë përveç porosive që marr nuk eci kurrë me mendime, idetë dhe kreativiteti e shpalos kur prek baltën. Pavarësisht çdo gjëje është një profesion që nuk të mërzitet kurrë sepse gjithmonë ka surpriza. E dhimbshme është ai momenti kur hap furrën dhe i shikon të thyera të gjitha. Ka pasur raste që jam zhgënjyer nga vetja, pasi nuk ka arritur dot që të finalizoj një produkt, se balta merr si do vetë ndonjëherë. Por përsëri nuk ka hequr dorë, jam përpjekur të gjej dhe të krijoj të bukurën në çdo produkt.”
Yrmela Bato është ndër shembujt më të mirë që tregon se edhe kur përballesh me sfida dhe humbje personale, pasioni dhe përkushtimi mund të jenë burime të fuqishme për të ecur përpara. Profili i Yrmelës është një rast inkurajimi për të rinjtë. Yrmela Bato është nga një të paktit të rinj që kontribuojnë në ruajtjen e zanateve të vjetra duke lënë vend edhe për brezat e ardhshëm./dritare.net