Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sherri te Megatek që solli të shtënat

Sherri te Megatek që solli të shtënat

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak minuta më parë në afërsi të Mbikalimit të Rinasit, në parkingun e qendrës tregtare "MEGATEK". Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjithçka ka nisur pas një sherri banal mes disa personave dhe ka përfunduar me plumba.

Paraprakisht, mësohet se kanë qenë disa persona që janë përfshirë në një konflikt të çastit dhe njëri prej tyre ka nxjerr armën nga brezi, duke qëlluar një nga personat me të cilët po konfliktohej në gjymtyrët e poshtme. I plagosur është dhe një i ri tjetër, dyshohet me sende të forta.

Newsbomb.al mëson se i plagosur me armë zjarri ka mbetur shtetasi Fabjo Arifaj, kurse me sende të forta, shtetasi Grisjan Latifaj.

"Rreth orës 13:50, tek mbikalimi i Domjes, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi F. A., rreth 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën si dhe është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi G. L., rreth 22 vjeç, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën", njofton Policia.

Forca të shumta të Policisë së Tiranës dhe nga Komisariati i Vorës ndodhen në sheshin e parkingut të jashtëm të qendrës tregtare, bashkë me shërbimet e Urgjencës Mjekësore, që kanë mbërritur atje sapo salla operative është njoftuar për të shtëna me armë.

I plagosuri, është nisur me urgjencë drejt spitalit, ndërsa dëshmitarët nga vendngjarja tregojnë se ai është qëlluar në këmbë. I pyetur nga efektivët për rrethanat e ngjarjes dhe personin që e ka qëlluar, ai nuk ka pranuar të flasë.

Në këto kushte, po pyeten dëshmitarët e rastit dhe po shihen kamerat e sigurisë, të cilat mund të kenë fiksuar momentin e sherrit dhe të shtënat me armë.

"Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje/dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit", njofton Policia e Shtetit./newsbomb