Klodian Braho i paraqet sot KLP-së raportin e vitit 2025 të SPAK!
Dritare.net

Këtë të hënë kryeprokurori i Posaçëm, Klodian Braho, do të raportojë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për raportin e vitit 2025 të SPAK, i cili tashmë është depozituar edhe në Kuvend.
Gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara brenda 12 mujorit dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). SPAK ka mbyllur hetimet për 216 çështje, i njëjti nivel me atë të vitit paraardhës.
Në fragmentin për adresimin e problematikave, SPAK thotë se do t’i konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, SPAK thotë së në vitin 2025 ka pasur ulje të çështjeve të regjistruara për këtë vepër penale. Në vitin 2024 u regjistruan 101 çështje kundrejt 74 çështjeve të regjistruara vitin e kaluar. Në luftën kundër krimit të organizuar edhe pse numri i çështjeve dhe hetimeve të regjistruara është më i ulët krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje me rreth 3.4% (nga 58 në vitin 2024, në 60 në vitin 2025). Krimet në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” kanë riskun më të lartë për tu kryer me 54%. Me risk më të ulët janë krimet për “trafikun e qenieve njerëzore” (1.4%) “mashtrimi kompjuterik” (4.5%) dhe “Terrorizmi” (12%).
Struktura Posaçme Antikorrusion thekson se në vitin 2025 ka pasur rritje me 70% të çështjeve të regjistruara që janë referuar nga Policia e Shtetit, nga 30% krahasuar me vitin paraardhës.