Rama flet për takimin me Mitsotakis: Adresuam çështjet e mbartura
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në podkastin e tij “Flasim” për vizitën e tij në Greqi, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit dhe zhvilloi një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Rama e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe, duke shprehur besimin se Shqipëria dhe Greqia po ecin drejt një faze të re bashkëpunimi.
Sipas tij, të dyja palët janë të angazhuara për të adresuar çështjet e mbartura mes dy vendeve dhe për të forcuar marrëdhëniet në nivel strategjik, me synimin që brenda këtij viti të finalizohet një dokument i ri i Partneritetit Strategjik.
“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por i lidhur me pozicionin e Shqipërisë dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe historisë, Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal, por edhe të marrëdhënies me vendin fqinj.
Shkova të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë të pritesha nga kryeministri i Greqisë Mitsotakis, një mik i vyer i Shqipërisë, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur, për t’i dhënë njëherë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Më vjen shumë mirë të them se nga ana e Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë adresimin e të gjitha çështjeve të mbartura dhe për të konfirmuar brenda këtij viti përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë gjithmonë në rrugën drejt BE. Jam besimplotë se do të arrijmë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe qoftë për shqiptarët në Greqi”, tha mes të tjerash Rama./K.C/dritare.net