“Pragu prej 50 mijë lekësh për korrupsionin duhet rishikuar”, Braho: Do rekrutojmë 40 hetues të rinj në SPAK
Dritare.net

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka ngritur shqetësimin për ngarkesën e lartë të punës në institucion dhe nevojën për rishikim të disa kufijve ligjorë që lidhen me korrupsionin.
Gjatë raportimit në KLP, Braho theksoi se numri aktual prej 20 prokurorësh në SPAK është i mjaftueshëm, por problematika kryesore lidhet me volumin e çështjeve dhe nevojën për rritje të cilësisë së hetimeve. Sipas tij, një rol kyç në këtë drejtim ka përmirësimi i profesionalizmit të hetuesve të BKH.
Ai bëri me dije se gjatë këtij viti pritet të rekrutohen 40 hetues të rinj në BKH, një hap që synon të lehtësojë punën e prokurorëve dhe të rrisë efikasitetin në hetime. Ndërkohë, ka përfunduar edhe procesi i përzgjedhjes për 10 oficerë nga shërbimet e policisë gjyqësore, ndërsa priten procedura të tjera rekrutimi.
Në linjë me qëndrimet e mëparshme të drejtuesve të SPAK, përfshirë edhe Altin Dumani, Braho theksoi se duhet rishikuar edhe pragu i ndjekjes penale për korrupsionin. Ai argumentoi se kufiri aktual prej 50 mijë lekësh është shumë i ulët dhe sjell një numër të madh çështjesh në SPAK, duke rritur ndjeshëm ngarkesën.
Sipas Brahos, rritja e këtij pragu do të ndihmonte në fokusimin e institucionit tek rastet më të rënda të korrupsionit, ndërsa shtoi se një problem i ngjashëm paraqitet edhe në çështjet që lidhen me prokurimet publike, ku vlerat aktuale konsiderohen të ulëta.
Megjithatë, ai nënvizoi se çdo ndryshim ligjor kërkon kohën e vet dhe duhet të kalojë përmes një procesi të kujdesshëm vlerësimi./L.F-dritare.net