Kolaudimi i makinave, ndryshojnë rregullat. Ja çfarë duhet të dini!
Dritare.net

Një rregull i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë parashikon se çdo ndryshim i pronarit të një automjeti do të shoqërohet me kryerjen e kontrollit teknik. Udhëzimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare, do të hyjë në fuqi nga 1 dhjetori 2026.
Sipas këtij udhëzimi, pavarësisht nga data e kontrollit teknik të fundit, autoritetet mund të kërkojnë që një automjet t’i nënshtrohet kontrollit teknik para kohës së parashikuar, në rast se ka ndodhur ndryshimi i titullarit të certifikatës së regjistrimit. Gjithashtu, kontrolli mund të kërkohet edhe kur mjeti ka arritur 160,000 km.
Udhëzimi përfshin gjithashtu mekanizma të rinj për shkëmbimin e informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet kompetente mund të përdorin platformën e Komisionit Evropian për të ndarë të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximin e odometrit midis shteteve anëtare.
Përveç autoriteteve, edhe inspektorët e qendrave të kontrollit, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve mund të aksesojnë informacione nga platforma të tjera elektronike të BE-së mbi historikun e aksidenteve të mjeteve dhe sigurinë e komponentëve të përfshirë në aksidente.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që sjell udhëzimi është riformatimi i kategorizimit të mjeteve, në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke synuar standardizim dhe harmonizim të plotë të procedurave./K.C/dritare.net