Rasti i 3 fëmijëve në Durrës/ Nëna mohon braktisjen, Shërbimi Social e vë në provë
Dritare.net

Një video e publikuar këto ditë në rrjetet sociale, ku shfaqeshin tre fëmijë në kushte të rënda jetese ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa vjehrra akuzonte nusen se i ka braktisur fëmijët. Por nëna e tyre, 33-vjeçarja, mohon se i ka braktisur fëmijët, duke thënë se ka qenë e detyruar të punojë për t’i mbajtur dhe për shkak të orëve të gjata të punës detyrohej t’i mbyllte në shtëpi.
“Unë kam punuar për t’i mbajtur. Kam punuar me një turn dhe edhe me dy turne. Jam shkëputur nga puna për t’u çuar ushqim, për t’i parë, për t’i marrë ose çuar në shkollë kur kanë qenë mirë. Nëse nuk do të isha e zonja për t’i mbajtur, nuk do t’i kisha mbajtur pranë vetes këto pesë vite.”, tha 33-vjeçarja.
Ndërkohë, sot ka reaguar edhe Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit. Sipas vendimit të marrë, tre fëmijët janë dërguar urgjent në spital dhe janë pajisur me veshmbathje dhe të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e sëmundjes së zgjebes me të cillën ishin infektuar fëmijët. Banesa do të pastrohet dhe dezinfektohet, me financim nga ARSIS dhe World Vision.
Familja do të ndihmohet gjithashtu për të transferuar regjistrimin e banimit në Bashkinë e Durrësit, në mënyrë që të përfshihet në programet e strehimit social. Bashkia do ta regjistrojë nënën në listën për banesa sociale, ndërsa përmes Zyrës së Punës asaj do t’i ofrohet një punë me orar të rregullt 8-orësh. Gjithashtu, nënës do t’i ofrohen kurse prindërimi për përmirësimin e kujdesit ndaj fëmijëve. Shërbimi social do të kryejë kontrolle të përditshme për të monitoruar gjendjen e familjes. Autoritetet kanë bërë të ditur se nëna do të jetë “në provë” për të vlerësuar nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj tre fëmijëve të saj./K.C/dritare.net