Studentët shqiptarë protestojnë të hënën në Shkup për gjuhën shqipe
Dritare.net
Mijëra studentë shqiptarë pritet të dalin në protestë të hënën, më 18 maj, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të mbahet në gjuhën shqipe.
Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa kërkesa kryesore është garantimi i të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe institucionale.
Në thirrjen e tyre publike, studentët u janë drejtuar edhe figurave publike, sportistëve dhe artistëve, duke kërkuar mbështetje për kauzën e tyre. Ata theksojnë se protesta nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave të barabarta qytetare.

Kjo është protesta e dytë e këtij lloji, pas tubimit të zhvilluar më 6 prill 2026 në Shkup, ku mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë kërkuan të njëjtën çështje. Pas asaj proteste, kryeministri i Hristijan Mickoski deklaroi se qeveria po punon për një zgjidhje dhe se së shpejti do të paraqitet një propozim konkret.
Studentët theksojnë se protestat do të vazhdojnë deri në sigurimin e të drejtës për zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe./K.C/dritare.net