Na ndiqni edhe në

Bota

Lufta, gjëja e fundit që na duhet! Trump zbulon prapaskenat e takimit me Xi Jinping

Lufta, gjëja e fundit që na duhet! Trump zbulon prapaskenat e takimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të premten se ka zhvilluar bisedime të thelluara me presidentin e Kinës, Xi Jinping, për çështjen e Tajvanit dhe për shitjet e armëve amerikane drejt ishullit.

Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One gjatë largimit nga Kina, Trump theksoi se temat ishin trajtuar “në detaje shumë të mëdha”.

“Diskutuam për Tajvanin, për të gjithë çështjen e shitjes së armëve, në detaje të mëdha,” tha ai, duke shtuar se do të marrë vetë vendime në vijim.

Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes për një konflikt të ri të madh:

“Gjëja e fundit që na duhet tani është një luftë që është 9,500 milje larg,” u shpreh Trump.

Presidenti amerikan përsëriti mesazhin e tij kundër përshkallëzimit të tensioneve, duke thënë sërish se “gjëja e fundit që na duhet është një luftë”, në një moment kur tensionet globale mbeten të larta, përfshirë edhe situatën e vazhdueshme me Iranin.

I pyetur nëse SHBA do të mbrojë Tajvanin në rast konflikti me Kinën, Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai tha se edhe Xi Jinping i kishte bërë të njëjtën pyetje gjatë takimit të tyre.

“Ka vetëm një person që e di këtë përgjigje… dhe ai jam unë,” u shpreh Trump. “Por nuk flas për këtë.”

Biseda me Kim Jong Un
Trump gjithashtu zbuloi se ka pasur komunikime me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke e përshkruar marrëdhënien e tyre si “shumë të mirë”.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Kim Jong Un,” tha ai. “Po, kemi komunikuar.”

Ai nuk dha detaje për numrin e bisedave, por shtoi se nuk dëshiron t’i bëjë publike.

Trump tha gjithashtu se kishte diskutuar për Korenë e Veriut me presidentin kinez Xi Jinping gjatë vizitës së tij në Pekin./K.C/dritare.net