Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Skema e re e mbështetjes për fermerët: Hiqet nafta falas, por zgjerohet ndihma

Skema e re e mbështetjes për fermerët: Hiqet nafta falas, por

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka shpjeguar sot skemën e re të mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë, duke theksuar ndryshime në mënyrën e ndihmës shtetërore për fermerët.

Sipas tij, skema e mëparshme e naftës falas për fermerët është hequr, por mbështetja nuk është reduktuar, pasi fermerët do të përfitojnë nga masa më të gjera financiare.

“Skema e naftës është një skemë mbështetëse, ne japim pagesa të drejtpërdrejta dhe me skemën e re fermeri bëhet pjesë e gjithë masave që kemi marrë. Kjo është një mbështetje më gjithëpërfshirëse,” u shpreh Salla.

Ai theksoi se qëllimi i skemës së re është ulja e kostove të prodhimit dhe përfshirja e sa më shumë fermerëve në programet mbështetëse shtetërore.

IPARD dhe fondet europiane

Ministri bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria po përgatitet për të paraqitur kërkesat në Bashkimin Evropian për programin IPARD deri më 9 prill, me synimin për të siguruar akreditimin e fondeve.

“Kemi diskutuar në Bruksel për detyrat që kemi dhe brenda 9 prillit do të depozitojmë kërkesat e caktuara,” deklaroi ai.

Dëmshpërblimet për fatkeqësitë natyrore dhe sëmundjet në blegtori

Duke folur për dëmshpërblimet, Salla tha se qeveria po vijon procedurat për mbështetjen e fermerëve të prekur nga zjarret, përmbytjet dhe sëmundjet në bagëti.

Ai u shpreh se për rastet e murtajës tek gjedhët, fondet pritet të kalojnë në llogaritë e fermerëve brenda pak ditësh.

“Jemi gati për të kaluar paratë për fermerët që janë prekur,” tha ministri, duke shtuar se mbështetja është dakordësuar edhe me institucionet përkatëse dhe bashkitë.

Sipas tij, synimi i skemës së re është një sistem më gjithëpërfshirës dhe më efikas i ndihmës për sektorin bujqësor në vend./L.F-dritare.net