Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë, prioritet i ambasadës shqiptare në Greqi
Dritare.net

Në Ambasadën e Shqipëri në Athinë u zhvillua një takim i veçantë me gazetaren Rudina Xhunga, ku morën pjesë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Takimi, i organizuar me mbështetjen e Ambasadores së Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga, si dhe në prani të përfaqësuesit të Kosovës, Fitim Gllareva, u kthye në një hapësirë të ngrohtë dialogu dhe bashkëbisedimi.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën vlerësime të shumta për ambasadoren Hajdaraga, duke theksuar rolin e saj të rëndësishëm në mbështetjen e komunitetit shqiptar, veçanërisht në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe.
Një ndër mësueset e pranishme u shpreh se pas ardhjes së ambasadores në detyrë është ndjerë një ndryshim i dukshëm në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve për gjuhën shqipe në komunitet. Sipas saj, më parë këto nisma kanë qenë pothuajse inekzistente, ndërsa sot ka më shumë angazhim dhe bashkëpunim.
"U larguam nga vendi ynë duke marrë me vete dashurinë për atdheun dhe për mësuesit tanë, që na edukuan me shembullin e tyre. Sot, këtë dashuri e kemi kthyer në një mision – në një punë kombëtare për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë.
Në këtë rrugëtim, mbështetja ka qenë vendimtare. Ndaj, një falënderim i veçantë shkon për ambasadoren Luela Hajdaraga, e cila me ardhjen e saj në komunitetin shqiptar në Greqi ka sjellë një frymë të re, veçanërisht në mbështetje të gjuhës shqipe. Aty ku dikur kishte mungesë organizimi dhe vëmendjeje, sot ka më shumë bashkëpunim, më shumë aktivitete dhe më shumë përkujdesje.
Falë kësaj mbështetjeje, shumë nga nevojat tona janë adresuar: librat kanë mbërritur, ndihma institucionale është bërë më e pranishme dhe komuniteti është ndjerë më i vlerësuar. Por mbi të gjitha, është krijuar një besim i ri se gjuha shqipe mund dhe duhet të ruhet edhe larg atdheut.
Megjithatë, puna vazhdon. Ajo mbetet në duart tona – të mësuesve dhe të gjithë komunitetit. Sepse pa këtë bashkëpunim, shkollat shqipe nuk mund të mbijetojnë. Dhe pa gjuhën shqipe, rrezikojmë të humbasim vetveten.
Në këtë përpjekje, mësueset shqiptare në diasporë janë heroina të heshtura. Ato janë ura që lidh brezat me gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre. Në një realitet ku fëmijët rriten mes dy kulturave, roli i tyre është jetik.
Prandaj, ky është një moment falënderimi – për ambasadoren, për mësueset, për komunitetin dhe për çdo njeri që kontribuon në ruajtjen e shqipes"./L.F/dritare.net