
Nga vloger në reporter, historia e britanikut që raportoi protestat në Nepal dhe pushtoi internetin!
Dritare.net
Një britanik i zakonshëm, i njohur në rrjet si Harry nga kanali WeHateTheCold, u kthye papritur në një “gazetar aksidental” dhe u bë viral në mbarë botën. I apasionuar pas udhëtimeve me motoçikletë dhe dokumentimit të vendeve ku kalon, Harry nuk e kishte menduar kurrë se rruga e tij drejt shtëpisë, nga Tajlanda në Mbretërinë e Bashkuar, do ta fuste në qendër të një proteste historike në Nepal.
Gjatë ditëve të tensionuara në Kathmandu, ku qindra të rinj të gjeneratës Z dolën në rrugë duke kërkuar ndryshim, Harry mori kamerën e tij dhe nisi të filmonte gjithçka. Pamjet e tij treguan zjarr, gaz lotsjellës, përleshje me policinë dhe zërin e qytetarëve që kërkonin të dëgjoheshin. Ai nuk ishte pjesë e ndonjë ekipi televiziv, nuk kishte mbrojtje sigurie dhe as mjetet e një gazetari profesionist, vetëm kamerën e tij dhe kurajën për të dokumentuar realitetin.
Brenda pak orësh, videoja e titulluar “Nepal is on fire” u shpërnda me miliona herë në rrjet, duke arritur mbi 5 milionë shikime në pak kohë. Interneti e shpalli menjëherë si shembullin e një “reporteri të gjeneratës së re”, që falë spontanitetit dhe syrit të tij të lirë, solli para botës imazhet e një proteste që rrezikonte të shpërfillet nga mediat tradicionale.
Për shumë njerëz në Nepal, prania e Harry-t ishte një dëshmi e fuqisë së mediave sociale dhe mënyrës si zëri i qytetarëve mund të përçohet globalisht. Nga një vloger i thjeshtë që udhëton me motor, ai u kthye në një kronikan të një momenti historik.
Historia e Harry-t është kujtesë se gazetaria nuk ka gjithmonë nevojë për tituj, uniforma apo studio televizive, mjafton një sy i vëmendshëm, një kamera, ose telefoni dhe guximi për të treguar të vërtetën./K.C/dritare.net

















