Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama nxjerr videon nga Thethi: Krim në zemër të parkut, Prokuroria mbron ndërtimin pa leje!

Rama nxjerr videon nga Thethi: Krim në zemër të parkut,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Prokurores Elsa Gjeli, e cila ka vendosur të mos nisë procedim penal për një ndërtim të paligjshëm në qendër të Thethit, një zonë e mbrojtur dhe simbol i turizmit natyror shqiptar. Rama e quajti këtë një “masakër të mirëfilltë” ndaj Thethit dhe kritikoi ashpër vendimmarrjen e prokurores, duke e cilësuar si një “justifikim absurd” që përdor terma juridikë pa thelb dhe që lë të lirë autorin e një krimi mjedisor flagrant.

Ai tha se vendimi e lë shtetin dhe qytetarët në baltë, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha strukturat shtetërore që kanë reaguar ndaj ndërtimit të paligjshëm. Rama paralajmëroi se ky do të jetë vetëm rasti i parë, dhe se do të kërkojë vlerësim disiplinor dhe institucional nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për çdo prokuror që, sipas tij, tradhton interesin publik me vendime të pajustifikuara.

Në të njëjtën kohë, ai solli në vëmendje edhe rastin e projektit “Vlora Sport” në pyllin e Sodës, i bllokuar prej vitesh për shkak të një tjetër vendimi të prokurorisë për sekuestro të pronës shtetërore, duke theksuar se problemet me prokurorët janë pengesë serioze për zhvillimin dhe shtetin ligjor.

Më vonë kryeministri Edi Rama ka shpërthyer reagoi përmes një videoje nga terreni në Theth, ku IKMT po kryen aksion për shembjen e ndërtimit të paligjshëm në fushën qendrore të zonës. Ai publikoi një video me mbishkrimin:

“Ja shikojeni vetë LIVE nga Thethi”

Rama e quajti autorin e ndërtimit “kriminel”, duke theksuar se ai është fshehur dhe nuk ka guxim të përballet me ligjin, ndërsa për prokuroren Elsa Gjeli përdori gjuhë të ashpër, duke e akuzuar se ka refuzuar të hapë çështjen penale për këtë ndërtim flagrant, edhe pse ishte denoncuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit.

Kryeministri ngriti pyetje publike mbi përgjegjësinë e institucioneve, duke kërkuar llogari se përse shteti dhe qytetarët duhet të paguajnë kostot e ndërhyrjes për të shembur këtë ndërtesë të paligjshme dhe për të kthyer “qendrën magjike të Thethit” në gjendjen e mëparshme./L.F-dritare.net