Rama reagon pas plagosjes së policëve: PD e vetmja parti në botën demokratike që përdor dhunë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e kaluar gjatë protestës në Bulevard, ku disa punonjës policie mbetën të plagosur nga mjete shpërthyese artizanale.
Përmes një deklarate publike, Rama publikoi pamje të mjeteve të përdorura në sulm dhe i cilësoi ato si “armë me kapacitet vdekjeprurës”. Ai akuzoi PD për ushtrim dhune, duke e cilësuar atë si “të vetmen parti në botën demokratike që përdor dhunën” dhe duke bërë krahasime me regjime të së kaluarës.
"Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë - pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves - që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur!
Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës! Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian", shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale./L.F-dritare.net