
Romeo Kara: Meta dhe Berisha kanë konsumuar krime kundër njerëzimit!
Dritare.net
Në një intervistë në Shqip me Rudina Xhungën në DritareTV, juristi Romeo Kara ka folur hapur për proceset ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës, duke i quajtur “një përballje me të keqen që ka kapur shtetin shqiptar prej dekadash”.
Kara u shpreh se nuk është gjyqi për dosjen “Partizani” që e shqetëson më shumë te Berisha, por fakti që “ai dhe të tjerë si ai kanë shkaktuar pasoja të rënda për vendin: vrasje shprese, dhunim të meritokracisë dhe shpërngulje masive të shqiptarëve”. Sipas Karës, këto pasoja klasifikohen si krime kundër njerëzimit, sipas vetë doktrinës penale.
Për Ilir Metën, Kara tha se “u çakërdis që në momentin që u paraqit në SPAK” dhe ka humbur çdo qëndrim institucional, duke u kthyer në një “figurinë tragji-komike”. Ai tregoi se Meta e ka të vështirë të përballojë gjykimin, duke prishur edhe marrëdhëniet me avokatët e tij, si në rastin e Gjokutajt.
“Ne i trajtuam si zotër këta që duhej të ishin përfaqësuesit tanë. I ulëm kokën vetë. Tani duhet t’u tregojmë që fundi i tyre do vijë, me ligj, me drejtësi, me besim”, – tha Kara për emisionin Shqip në Dritare Tv./dritare.net

















