
Rregullorja e re: Celularët në klasë vetëm me leje nga prindi. Gjatë mësimit mbyllen në kuti
Dritare.net
Celularët në shkollë, rregulla të reja: Nxënësit mund t’i marrin, por duhet t’i dorëzojnë të fikur
Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka vendosur masa të reja për përdorimin e telefonave celularë në shkolla. Sipas udhëzimit të ri, nxënësit mund ta marrin celularin me vete vetëm nëse prindi e argumenton si të domosdoshëm, por gjatë orës mësimore telefoni duhet të fiket ose të vendoset në “airplane mode” dhe të dorëzohet në një kuti të posaçme në klasë.
“Telefonat nuk duhet të përdoren gjatë mësimit. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, telefoni fiket dhe dorëzohet në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga nisja deri në përfundim të orarit mësimor,” sqaroi Ministria e Arsimit.
Megjithatë, kjo praktikë nuk është krejt e re. Shumë shkolla 9-vjeçare e kanë zbatuar tashmë këtë metodë për disa vite, ku nxënësit dorëzojnë celularin gjatë orës mësimore.
Ky ndryshim shënon heqjen e masave të vitit 2018, kur celulari nuk lejohej fare në ambientet e shkollës dhe përdorimi i tij konsiderohej shkelje e rreptë, me sekuestrim dhe masa disiplinore.
Sipas udhëzimit të ri, në rast përdorimi të fshehtë të telefonit, aparati sekuestrohet dhe dorëzohet në drejtori. Për shkeljen e parë, nxënësi këshillohet; për shkeljet e përsëritura, informohet prindi, i cili mund të tërheqë celularin.
Për herë të parë, ndalohet edhe përdorimi i telefonit nga mësuesit gjatë orës, përveç rasteve emergjente ose të nevojshme pedagogjike. Ministria e Arsimit thekson se përdorimi i celularëve ul përqendrimin, dobëson kujtesën dhe aftësitë analitike të nxënësve, mund të nxisë sjellje të papërshtatshme dhe të rrisë rrezikun e bullizmit dhe dhunës. Lexojeni rregulloren e plotë duke klikuar këtu./K.C/dritare.net

















