
Zjarret shkatërruan fshatra të tëra, Gramshit i akordohet 3 milionë lekë fond ndihmë
Dritare.net
Pas zjarreve të gushtit që shkrumbuan disa fshatra të Gramshit, duke lënë pas dëme të mëdha materiale dhe viktima, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka vendosur unanimisht të akordojë një fond prej 3 milionë lekësh të reja për Bashkinë e Gramshit. Ky vendim synon të ndihmojë në përballimin e kostove të emergjencës, të lehtësojë barrën financiare dhe të mbështesë procesin e rikuperimit të zonave të dëmtuara.
Zjarret e fuqishme përfshinë dhjetëra hektarë pyje dhe sipërfaqe të banuara, duke shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme. Sipas të dhënave paraprake, 42 banesa u dogjën, ndërsa mbi 200 krerë bagëti humbën jetën. Mes tyre 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, si dhe dhjetëra koshere bletësh. Situata e rëndë detyroi autoritetet të ndërhyjnë me masa urgjente për groposjen e kafshëve të ngordhura, për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie.
Përveç dëmeve materiale, fatkeqësia solli edhe pasoja për banorët. Një person humbi jetën, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën dhe u trajtuan në spital për shkak të lëndimeve dhe problemeve të frymëmarrjes. Rreth 46 banorë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në ambiente të përkohshme, ndërsa një pjesë e komunitetit refuzoi të largohej, duke deklaruar se nuk mund të braktisnin pasurinë dhe jetën e tyre të përditshme.
Zjarret nuk kursyen as trashëgiminë kulturore. Një nga objektet më të rëndësishme shpirtërore të zonës, Teqeja e Shemberdhenjës, u përfshi nga flakët dhe u dogj.
Në terren u angazhuan dhjetëra forca zjarrfikëse, ushtarake dhe vullnetarë për të përballuar situatën. Përveç ndërhyrjeve të menjëhershme, autoritetet kanë ngritur tetë grupe ekspertësh të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të dëmeve në banesa, bagëti, bujqësi dhe infrastrukturë. Raporti përfundimtar pritet të dorëzohet brenda disa ditësh te institucionet përgjegjëse dhe donatorët.
Në këtë situatë të vështirë, ndihma e akorduar nga Bashkia e Elbasanit shihet si një shembull i qartë solidariteti dhe bashkëpunimi ndërbashkiak. Ky fond prej 3 milionë lekësh do të shërbejë për të zbutur pasojat e menjëhershme të katastrofës dhe për të mbështetur hapat e parë drejt rikuperimit të zonave të dëmtuara./K.C/dritare.net

















