
IKMT ndërhyn në Gjipe, shemb baret dhe restorantet pa leje
Dritare.net
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) shembi sot në Gjirin e Gjipesë, baret dhe restorantet e ngritura përgjatë plazhit. Strukturat, të cilat kishin shërbyer gjatë sezonit turistik, nuk u çmontuan nga pronarët pas përfundimit të verës, pavarësisht afateve të përcaktuara nga autoritetet.
IKMT kishte njoftuar më herët bizneset që të largonin vetë objektet, por siç raportohet, një pjesë e tyre nuk iu bindën vendimit. Për këtë arsye, ndërhyrja u krye në mënyrë të detyruar, me synim lirimin e hapësirës publike.
Gjiri i Gjipesë është një nga perlat e rivierës shqiptare dhe konsiderohet zonë e mbrojtur natyrore. Prej vitesh, autoritetet janë përballur me problematika lidhur me ndërtimet pa leje dhe përdorimin e paligjshëm të hapësirave publike.
Me këtë aksion, IKMT synon të vendosë rregull në administrimin e plazheve dhe të mbrojë vijën bregdetare nga zaptimi i paligjshëm./K.C/dritare.net

















